Transmetuar më 30-10-2019, 16:07

Ndodh të abuzosh me detyrën, por ndonjëherë rastet kapërcejnë çdo lloj imagjinate. I tillë ishte rasti në Kosovë, në një ngjarje të shëmtuar që tronditi opinion publik mbarëshqiptar.

Një vajzë në vend që t’i afrohet dije në shkollë, ajo abuzohet seksualisht nga profesori, dhe në vend që t’i afrohet mbrojtje dhe drejtësi nga policia, ajo përdhunohet edhe nga autoritet ligjzbatuese.

Ngjarja e rëndë që tronditi Kosovën në shkurt të vitit 2019, ku një vajzë akuzoi profesorin e saj se kishte abuzuar me të seksualisht dhe se e kishte mashtruar se do të martohej me të, e më pas ajo e ka denoncuar ngjarjen në polici, por edhe aty nuk  gjeti mbështetje, madje është përdhunuar nga polici ku edhe ka mbetur shtatzënë, nxiti protesta.

Pas kësaj vajza është detyruar që të abortojë. Në lidhje me këtë rast, prokuroria nisi hetimet dhe pas mbylljes së dosjes njoftoi se ka ngritur akt akuzë kundër gjashtë personave. Mes tyre mësuesi Shkëlzen Gjekaj dhe polici, Vesel Veseli.

Njoftimi i prokurorisë:

Aktakuzë kundër gjashtë personave për rastin “Drenasi”

Prishtinë, 30 tetor 2019 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, ka ngritur aktakuzë, kundër gjashtë të pandehurve me inicialet Sh.Gj., V.V.,  G.H., F.C., I.R., dhe H.H., për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”, “Shtytja në ndërprerjen e palejuar e shtatzënësisë” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”.

Prokuroria njofton se i pandehuri Sh.Gj., akuzohet për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”, nga neni 240 të KPRK-së.

I pandehuri V.V., akuzohet për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe “Shtytja në ndërprerjen e palejuar të shtatzënësisë”, nga neni 148 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 32 paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri G.H., akuzohet për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”, nga neni 395 të KPRK-së.

Ndërkaq, të pandehurit F.C., I.R., dhe H.H., akuzohen për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 2 pika 2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti është proceduar në Gjykatë. /NOA.al