Transmetuar më 02-11-2019, 18:22

Inaugurimi i stadiumit të ri “Arena Kombëtare” dhe fakti që më 17 Nëntor, Franca, si kampione Bote sfidon Shqipërinë në ndeshjen e fundit kualifikuese, ka bërë që interesi të jetë i jashtëzakonshëm për të siguruar një biletë. FSHF ka çelur zyrtarisht edhe shitjen në dyqanet e saj zyrtare për duelin e fundit eliminator. Interesimi i madh për të siguruar bileta ka shkaktuar radhë të gjata në dyqanin e Rrugës së Elbasanit. Që prej orëve të para të mëngjesit, qindra njerëz u dyndën drejt pikës së shitjes, duke krijuar një situatë të ngjashme me atë të pak muajve më parë në Kosovë.

Në sektorët e ndryshëm, çmimet variojnë nga 1500 deri në 5 mijë lekë, ndërsa biletat në pjesën e tribunës, nuk kanë dalë në shitje pasi është e gjitha e prenotuar.

Interesimi i lartë për duelin me Francën ka lënë në hije përballjen me Andorrën, që do të zhvillohet më  14 Nëntor. FSHF nga  frika për të evituar që stadiumi i Elbasanit të jetë bosh, ka bërë që të bashkangjisë tek biletat e Francës edhe një biletë tjetër për ndeshjen me Andorrën me një kosto shtesë. Në varësi të sektorit të prenotuar për ndeshjen e Tiranës, çmimi rritet edhe për biletën e detyruar të Elbasanit.

Sakaq, syert e dyqanit qendror pranë federatës por edhe atij në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”, mbeten të bllokuara për shkak të fluksit të lartë. Sipas përllogaritjeve, shitja e biletave mund të konsiderohet e mbyllur brenda pak orëve. Stadiumi me kapacitet rreth 22 mijë vende pritet të jetë gati për ndeshjen e datës 17 Nëntor ku pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin. Biletat ose janë pronotuar, ose po shiten pa dalë ende në treg.

Përballë Francës pritet të vijnë personalitete të shquara, ndërsa në dy javët e mbetura para ndeshjes, vështirë se do të shmanget tregu i zi, ku çmimi i biletës në ditën e ndeshjes, me gjasa do të arrijë rekord historik. /NOA.al