Transmetuar më 04-11-2019, 13:37

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar qytetarët lidhur me vazhdimësinë e reshjeve të shiut. IGJEUM njofton për  reshje intensive në Shkodër dhe Kukës dhe reshje mesatare në Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në buletinin me te fundit te publikuar, IGJEUM thekson se sipas llogaritjeve hidrologjike të bera rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta.

Ja buletini

RESHJET Sot pasdite (e hënë dt.04) dhe nesër (e martë dt.05) priten reshje intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, mesatare në qarqet Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa të dobëta në qarqet e tjera (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Intensiteti i reshjeve në qarqet Shkodër dhe Kukës do të vijë duke u rritur gjatë pjesës së dytë të ditës së nesërme. Reshjet do të të shoqërohen me shtrëngata vetëm në këto dy qarqe.

RREZIKU NGA PËRMBYTJET: Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e hënë, dt.04) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të rriten prurjet në pjesët e larta malore duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Në pjesën fushore të basenit që i përket Lumenjve Drin-Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të ketë nivele të larta të ujit dhe me tendencë për rritje të niveleve dhe rrezikut ditët e javës në vazhdim. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të rriten

NË FUNDJAVË për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna por do të varen edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Për arsye të rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Në pjesën tjetër të territorit do të ketë shtim të prurjeve ne te gjithë lumenjtë kryesorë por nuk ka paralajmerim për përmbytje lumore. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.

TEMPERATURAT: Nesër (e martë dt.05) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 15 / 22 °C; në vendet e ulëta: 14 / 23 °C; në vendet malore: 8 / 17 °C

ERA: Sot pasdite (e hënë dt.04) dhe nesër (e martë dt.05) era pritet të fryjë e lehte deri mesatare, por do të ketë forcime të saj, sidomos në bregdet./b.l/noa.al/