Transmetuar më 04-11-2019, 17:35

OPINION nga Skënder Minxhozi

Habia e përgjithshme që ka kapur shqiptarët në këtë vjeshtë të butë dhe të thatë, lidhet jo edhe aq me motin si nocion atmosferik, por me motin politik, si dukuri që kushtëzohet nga ata që drejtojnë vendin. Një paqe totale, që nuk u prish as nga dështimi me hapjen e negociatave evropiane dhe që duket se kësaj radhe do të mbajë gjatë. Palët (kuptoni opozitën) janë bindur se lufta nuk bëri viktima dhe se duhet një trill tjetër për të marrë kalanë e pushtetit.

Kemi qenë të gjithë këtu gjatë pranverës së fundit. Edhe ata që s’kanë qenë, e kanë ndjerë virtualisht nga larg aromën e barutit të shashkave, e kanë parë bojën që vishte muret e Kryeministrisë dhe zjarret e tymin që shfaqeshin sa në Bulevard, aq tek parlamenti. Ishte momenti kur pritej të binte qeveria. Ose së paku, kështu thuhej. Sepse askush nuk ra, përveç mandateve parlamentare dhe bashkiake të të gjithë opozitës. Kapitullim në stil të gjerë, braktisje zyrash dhe poltronash, sikur të kishte ndodhur ndonjë pushtim i huaj.

Kjo marrëzi verore tashmë ka marrë fund. Por siç thonë të vjetrit, kur të vijnë mendtë…! Tashmë kemi një skenë politike surreale, me njërën palë të shtrirë këmbë për mbi këmbë në të gjithë hartën e Shqipërisë, e palën tjetër që rri në kafe. I vetmi që vazhdon të bëjë opozitarin e vërtetë është Ilir Meta, ndërsa kreu i opozitës ndërroi edhe shtëpinë, për t’u rehatuar në lagjet ekskluzive të periferisë së Tiranës. Panoramë më absurde zor të gjesh kund.

Në këto kushte, e para gjë që do t’i shkonte ndërmend një njeriu normal, do të qe ajo e një reaksioni të egër dhe reagimi masiv, të palës së lënë jashtë dere. Do të ishte logjike të mendohej se mungesa e përfaqësimit do të duhej të sillte revoltën e palës së nëpërkëmbur. Sepse konfliktet politike ndodhin zakonisht kur prishen ekuilibrat e përfaqësimit në një shoqëri.

E megjithatë as kjo gjë nuk po ndodh. Shbalancim pushteti ka, reagim s’ka. Që zgjedhjet e 30 qershorit dhe afrimi i sezonit të verës do të hidhnin ujë në benzinën e protestave, kjo ishte e pritshme. Edhe që opozita do të lodhej pasi e kishte provuar ta rrëzonte disa herë Ramën e nuk ja kishte dalë, edhe kjo ishte e imagjinueshme. Historia e Çadrës ka krijuar tashmë reflekset e saj të kushtëzuara në shoqërinë shqiptare.

Por kjo mpakje e zjarrit opozitar, që tani ka mbetur vetëm në fjalorin që PD e LSI përdorin në konferenca shtypi apo debate televizive, na tregon sot për së largu, sesa e madhe dhe joefektive ka qenë ajo marrëzi kolektive që nxorri në rrugë burra e gra, për të prerë degën ku ishin ulur.

Katër muaj pasi protestat kanë mbaruar, është cinike ta thuash, po një ndër rezultatet më të dukshme dhe flagrante të stinës së gjatë të arratisë së opozitës, ka qenë dalja në sipërfaqe e llumit të listave. Duke ikur nga sistemi, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi na treguan pa dashje se çfarë sedimentesh të shëmtuara njerëzore kishin hedhur në listat e deputetëve në vitin 2017, që sot bëjnë humor, më shumë sesa lajme. Pjesa tjetër e lojës politike është ajo e njëjta: pozita përpiqet të përdorë avantazhin e pushtetit të tejfryrë,  opozita tenton të faktorizohet përmes dialogut që po vjen, në pritje që shumica të shkërmoqet nën peshën e vet.

Koordinatat e reja të politikës shqiptare e kanë çuar fabulën e partive tek sinoret e vjetra të dialogut, zhurmnajës dhe punës në boshllëk. Është e njëjta procedurë “një hap para, dy hapa mbrapa”, që kemi parë gjatë gjithë gjatësisë së tranzicionit. Janë të njëjtat praktika të vjetra, të njëjtat vese e zakone që kanë krijuar imazhin dhe reputacionin e klasës tonë politike ndër vite. Pasi u rrahën e u gjuajtën me çfarë u erdhi në dorë, ngjan sikur të majtë e të djathtë janë përmallur për pak normalitet. Sidoqë të jetë, më mirë kështu!

Për protestat, tani që u hoqën edhe makinat që bllokonin rrugën tek Unaza e Re, nuk kujtohet më askush. E megjithatë kostoja e tyre vijon të ndjehet thellë në indin e politikës dhe shoqërisë shqiptare. U desh një kosto e madhe kombëtare, u desh një tendosje e skajshme, që të kuptohej se pushteti nuk merret më me dhunë. Qoftë edhe  një vend gjysmë-demokratik dhe thellësisht të korruptuar e të dobët si Shqipëria.

/NOA.al