Transmetuar më 04-11-2019, 20:20

Agim Reka, një i pastrehë që e siguron jetën duke gërmuar në koshat e  plehrave u arrestua si hajdut i një biçiklete.

Gjatë gjykimit 55-vjeçarit iu afrua avokat nga shteti, ndërsa ai këmbëngulte se nuk kishte vjedhur asgjë, por kishte marrë çfarë gjeti në koshat e plehrave.

Drejtësia e shpalli fajtor për vjedhje , një vepër për të cilën burri ende nuk e pranon.

Sipas Top Channel, këtë të hënë itinerari i tij ishte nga koshat e plehrave, në drejtorinë e shërbimit të provës, ku Agim Reka duhet të paraqitet dhe të firmosë, si një nga format e drejtësisë që po përpiqet ta edukojë me shërbim prove.

Por i ngjashëm është edhe rasti i një pensionisteje me inicialet F. Hyseni e shpallur fajtore pasi u kap duke vjedhur në një supermarket produktet ushqimore, dy çokollata, një sallam dhe një pako gjalp.

Vlera e tyre nga ekspertiza e hetuesve u deklarua në gjykatë në totalin e 330 lekë.

Gruaja u dënua me shërbim prove, por që për shkak të një sëmundjeje ajo duhet të sillet pranë shërbimit të provës nga një familjar.