Transmetuar më 05-11-2019, 11:32

Një sherr mes disa të rinjve ka ndodhur pasditen e djeshme në Qytet Studenti, me pasojë plagosjen e tre personave. Ngjarja është shënuar rreth orës 17:20, në ish-menzën e Qytetit Studenti, ku viti i tretë i Financës po zhvillonte leksion.

Mësohet se në sallë kanë hyrë dy djem, që nuk ishin pjesë e fakultetit, dhe kanë ngacmuar dy vajza. Menjëherë kanë ndërhyrë djemtë e grupit, duke i përzënë.

Mësohet se studentet e ekonomikut u kanë dalë në mbrojtje, duke u përfshirë fillimisht në konflikt verbal me të rinjtë që nuk ishin pjesë e fakultetit Ekonomik.

Pas këtij incidenti mësohet se sherri ka vijuar dhe jashtë auditorëve. Të rinjtë që ngacmuan studentet e ekonomikut kanë pritur djemtë jashtë ambienteve të Fakultetit, duke u konfrontuar fizikisht. Sherri i dhunshëm ka nisur në Sheshin Demokracia të Qytetit Studenti.

Dy agresorët mësohet se kishin mbledhur edhe disa djem të tjerë dhe i kanë goditur në pabesi studentët që mbrojtën shoqet e klasës.

Mësohet se tre djem janë në spitalin Ushtarak ku po marrin mjekim për plagët që i janë shkaktuar. Raportohet se mësimi i studentëve të Ekonomikut po zhvillohej tek ish-menza e QS, pasi ambientet e fakultetit janë në rikonstruksion./b.l/noa.al/