Transmetuar më 05-11-2019, 14:50

Nga selia e LSI, ish-deputetja dhe kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi ka folur mbi problematikat e rinisë shqiptare dhe planin e LSI për ta. Kërpaçi tha se 70 % e të rinjve kanë si synim kryesor largimin nga vendi për një jetë më të mirë në BE.

Në këtë situtatë ku të rinjtë kanë humbur shpresën, zgjidhja është vetëm largimi i kësaj qeverie. LSI ka një plan të qartë të bazuar në 4 pika kryesore, u shpreh ish-deputetja.

“Sipas studimeve të shumta, 70% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga shqipëria, ku synimi kryesor është emigrimi drejt BE. Këta të rinj duan të largohen për një jetë më të mirë, për të krijuar mundësi punësimi, për të krijuar mundësi arsimimi, pra, t’i krijojnë vetes ato mundësi që iu sigurojnë një të ardhme, mundësi të cilat shteti për shkak të keqqeverisjes, ua ka mohuar.

Keqqeverisja, ku në bazë të saj qëndron korrupsioni, kriminalizimi i pushtetit, shpërdorimi i taksave në favor të oligarkisë, destruktimi i arsimit dhe shëndetësisë, ka krijuar të gjithë panoramën pesimiste e të pashpresë për të rinjtë shqiptarë”, shprehet Kërpaçi.

Sipas saj, “Kjo situatë ka bërë që edhe të rinjtë të mirëarsimuar dhe trajnuar të largohen nga vendi. Dhe kjo përbën një humbje shumë serioze për ekonominë e vendit. Situata kërkon zgjidhje të menjëhershme, por edhe për shqiptarin më të fundit, edhe për të riun më të fundit, është shumë e qartë që këto zgjidhje nuk mund të vijnë kurrë nga kjo qeveri, e mbërthyer nga korrupsioni dhe oligarkia”.

Ajo deklaron se, LSI e ka shumë të qartë planin dhe hapat që duhen ndjekur për ti kthyer rinisë shpresën për një garanci për të ardhmen.

“Së pari, mbështetje transformuese për arsimin duke dyfishuar buxhetin për arsimin dedikuar përmirësimit rrënjësisht infrastrukturës arsimore, pagat e mësuesve, rritjen e autonomisë universitare, me qëllimin thelbësor. Një arsim cilësor i cili mund të përballet denjësisht me tregun e punës.

Bazuar mbi moton tonë të palëkundur, ‘Arsim për Punësim’, e gjithë vëmendja do të shkojë tek lidhja praktike e arsimit me tregun e punës aktual dhe atë të ardhshëm.

Nëpërmjet uljes së tarifave dhe detyrimeve financiare për studentët, do t’i jepet një fytyrë sa më sociale në mënyrë që të gjithë të rinjtë të mosdiskriminohen për shkak të shtresës shoqërore ku bëjnë pjesë apo mundësive ekonomike të familjeve, dhe dyert e dijes në universitete të jenë të hapura për të gjithë!

Përsa i takon të rinjve, dhe mbështetjes së krijimit të familjeve të reja, do të jetë një objektiv strategjik, krijimi i fondit të shtëpive për familjet e reja; Punësim prioritar për të paktën 1 nga prindërit e rinj të një familje me fëmijë.

Ne jemi duke përgatitur një plaftormë, për çdo të ri deri në moshën 30-vjeç, i cili hap biznesin e tij, apo është i punësuar në biznesin e tij, në administratë, bujqësi, shëndetësi, sistem bankar apo çdo fushë tjetër, tatimi ndaj tyre të jetë zero, për t’i shndërruar ata në kontribues shoqëror e të pavarur dhe jo në një peshë për veten dhe shoqërinë”, tha Kërpaçi.

Ajo shton më tej se për LSI, çdo i ri që do të qëndrojë në Shqipëri, do të jetë një fitore e madhe, do të jetë një mesazh edhe për të rinjtë e tjerë, dhe për ne, çdo i ri është i çmuar dhe i gjithë komuniteti gjigand i të rinjve është arma më e fortë që Shqipëria ka për të ecur përpara, por edhe për t’u integruar në Europë e për të konkuruar denjësisht me vendet e tjera në sfidat e të ardhmes./b.l/noa.al/