Në bagazhin e makinës ku ndodhej prokurori i Durrësit së bashku me një person me rekorde kriminale, dhe shoferi i tij, janë gjetur dosje dhe dokumente të shumta hetimore.
Ndër këto dokumente është gjetur edhe dosja e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit disa kohë me pare, si edhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite me pare, Skerdilajd Konomi!
Burime brenda Policisë së Shtetit, i thanë TCH, se pista kryesore e hetimit është pikërisht një konflikt për tokat e pretenduara nga familja e viktimës.
Disa kohë më parë është bërë një transaksion i dyshimtë në hipotekën e Durrësit në favor të një organizate kriminale, çka dyshohet se ka çuar edhe në konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të hipotekës, që kishte rënë në gjurmët e këtij transaksioni.
Nëse hetimet çojnë në këtë përfundim, mbi pistën kryesore e të atentatit, atëherë del në pah lidhja e supozuar mes prokurorit dhe personit me rekorde kriminale që gjendej në makinë me të.
Në maj të vitit 2018 në Prokurorinë e Durrësit ndodhi një grabitje e dokumenteve nga persona të paidentifikuar, të cilët kishin dëmtuar edhe server, por u tha pas ngjarjes se asnjë dokument nuk kishte humbur, duke qenë se ato ishin të dubluar. Dokumentat e tjera që u gjetën në makinën e prokurorit të plagosur besohet se lidhen me ish gjyqtarin Skerdilajd Konomi, i cili mbeti i vrarë në makinë pas një bombe që shpërtheu në vitin 2011. /NOA.al