Transmetuar më 05-11-2019, 23:46

"Opozita mbështet ngritjen e SPAK-ut një orë e më parë".

Kështu ka deklaruar kreu i opozitës Lulzim Basha këtë mbrëmje.

Në një intervistë televizive, kreu demokrat foli institucionin e Reformës në Drejtësi që parashikon të hetojë korrupsionin në nivelet e larta administrative dhe qeveritare.

Basha tha se opozita ka qenë në një qëndrim me SHBA sa i përket mbështetjes për ngritjen e SPAK pasi sipas tij është garancia e vetme që i jep fund pandëshkueshmërisë.

Basha shtoi se lajmet se opozita është kundër ngritjes së SPAK janë propagandë qeveritare.

“Dua të gjej rastin këtu, meqë jemi në këtë bashkëbisedim të shpërndaj çdo dilemë të mbjellë nga propaganda qeveritare që, Partia Demokratike dhe opozita mbështesin totalisht ngritjen një orë e më parë të SPAK-ut dhe mbështetjen e SPAK-ut në të gjitha burimet njerëzore dhe financiare. Dhe për këtë kemi insistuar edhe me partnerët tanë strategjikë të SHBA-ve sepse kjo është garancia e vetme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për të hetuar korrupsionin në nivele të larta, që është hapi i parë për barazinë para ligjit. Pa patur këtë themel, barazinë para ligjit, ta harrojmë se do të na hapen dyert e Europës. Nuk hapen dyert e Europës për një vend që nuk ka sundimin e ligjit, por ku sundohet me ferman. Sot Shqipëria sundohet me fermanin e kryeministrit fuqiplotë, fuqi të cilat nuk ia jep Kushtetuta, nuk ia jep ligji, pra nuk ia japin qytetarët shqiptarë, por me fuqi që i ka marrë, i ka grabitur pikërisht me ndihmën e atyre që duhet të jenë të parët para drejtësisë, krimit të organizuar dhe bandave kriminale” tha Basha.

Pyetjes nëse opozita ofron shpresë Basha iu përgjigj: “Opozita është gjithçka. Opozita është forcë, opozita është revoltë, opozita është denoncim, opozita është vizion, opozita është program, është alternativë”.