Transmetuar më 06-11-2019, 12:35

Policia e Tiranës ka finalizuar dy operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Blutë e Tiranës sqarojnë se në një operacion të koduar “Farka” janë vënë në pranga F. L., 30 vjeç, banues në Elbasan dhe I. Z., 24 vjeç, banues në Tiranë. Dy të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike kokainë, kryesisht gjatë mbrëmjes, në zonën pranë liqenit të Farkës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Agush Gjergjevica”, policia i ka kapur në flagrancë me 11 gr. lëndë narkotike kokainë, 37 300 lekë dhe një sasi valute, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Po ashtu, në një operacion tjetër, policia e Tiranës bën me dije se është vënë në pranga S. H., 57 vjeç, banues në Tiranë. 57-vjeçari ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta, kryesisht heroine, në zonën e Alliasit, Tiranë.

Ai është kapur me doza me heroinë, me peshë 8.4 gr, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën edhe 2 thika, qese farmaceutike, një peshore elektronike, 3 800 lekë dhe 3 aparate celulare, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Janë sekuestruar në total gjatë kontrolleve të ushtruara: 11 gramë lëndë e dyshuar kokainë, 8.4 gramë lëndë e dyshuar heroinë, 6 aparate celulare, 2 thika, peshore elektronike, 41 100 lekë dhe një sasi valute, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”./b.l/noa.al/