Transmetuar më 06-11-2019, 17:28

“Ajo që po përjetojmë sot nuk krahasohet as me periudhën më të errët të stanjacionit. Raporti i Bankës Botërore thotë se korrupsioni është dyfishuar krahasuar me vitin 2013 dhe është më keq se në vitin 2005”.

Është kjo deklarata e bërë nga kryedemokrati Lulzim Basha në takimin e pasdites së sotme “Rrugëtimi për Shqipërinë”, me të rinjtë në Shkodër.

Sipas tij, plaga më e madhe, është plaga e emigracionit të rinisë, ku nënvizoi se po ikin nxënësit dhe po boshatisen shkollat.

“Mësova se në Vukatanë brenda një nate kishin ikur 30 të rinj. Është koha të bëhemi bashkë për ti dhënë zgjidhje probleme dhe pastaj të vëmë në jetë këto zgjidhje. Të kthejmë votën e lirë. Të kthejmë shpresën. Kemi gjithçka që duhet, duhet vetëm një qeveri që punon për mirëqenie. Shqipëria i ka mundësitë ti japë fund krizës, për këtë duhet ta çojmë këtë rrugë deri në fund”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se me bashkëbisedim do të nxirren zgjidhjet që kërkon vendi

Basha tregoi edhe cilësinë që e ka dalluar nga politikanët e tjerë, duke thënë se “Ajo që më ka motivuar për të hyrë në politikë, është padrejtësia që shikoja në vend. Lufta ndaj padrejtësisë, është lajtmotivi im. Fundi i padrejtësisë, është gjëja më e rëndësishme”.

Në vijim tha se modeli i qeverisjes me kriminelë është modeli që duhet të rrëzhet dhe të ndërtohet një model normal europian.

“Jam i vendosur të vazhdoj deri në fund luftën ndaj padrejtësisë që ka qenë lajtmotivi i futjes time në politikë”, tha ndër të tjera kryedemokrati./a.y/noa.al