Transmetuar më 06-11-2019, 19:59

Avokati i njohur Spartak Ngjela, përmes një analize thotë se korrupsioni në Shqipëri nuk ka më shpëtim.

"Shqipëria sot është e pushtuar nga krimi shtetëror, nga krimi i rrugës, dhe nga segmente të veçantë të krimit të organizuar. Të tre këta faktorë punojnë në funksion të njëri-tjetrit".

"Në Shqipëri është shkatërruar me kast arsimi i lartë dhe vetë shkollimi i shqiptarëve. Gjithçka është bërë me skemë nga korrupsioni".

"Berisha ishte autori direkt i diplomave fals, dhënë nga universitete fantazmë, të "ngritura me ligj", diploma këto që sot kanë inonduar administratën shtetërore".

"Administrata e sotme shtetërore është injorancë e ngritur në një sistem antidije dhe antiprofesion."

Sipas tij, "pushtuesi dytësor është pushteti gjyqësor- gjykata dhe prokuroria shqiptare. I gjithë ky pushtet në fakt ka sjellë në Shqipëri krimin dhe pasigurinë. Në një vend ku mungon forca e ligjit, sundon krimi. Kur forca e krimit është më e fortë se forca e ligjit, krimi bëhet sundues i shoqërisë, dhe pas 30 vitesh, i ka ardhur radha ndërhyrjes, me ndihmën e aleatëve perëndimorë për të shpëtuar popullin shqiptar nga grabitja dhe nënshtrimi.

Analiza e plotë nga Spartak Ngjela:

Të korruptuarit e nivelit të lartë shtetëror sot në Shqipëri, janë të pashpresë. Reforma në Drejtësi dhe ngritja e SPAK-ut, me ndihmën e politikës amerikanë, do t’i likuidojë të gjithë me forcën e ligjit.

Pas 25 vjetësh, të shtypur nga korrupsioni i lartë shtetëror, shqiptarët do të kenë shpresë se do të jetojnë me mirëqënie në vendin e tyre.

Por ndërkohë që sundojnë, në 25 vjet, të korruptuarit e lartë kanë shkatërruar gjendjen shoqërore në Shqipëri: kanë sjellë shtetin joligjor, krimin e organizuar antishtet, tregun banal pa prodhim kombëtar, papunësinë; kanë sjellë varfërinë ekstreme shqiptare dhe largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Kjo është vepra e tyre, po pse e bënë?

Në fakt e kanë bërë kryeministrat bastardë dhe të shitur tek armiqtë shekullore të shqiptarëve. Shpejt shqiptarët do t’i dëgjojnë të provuara bëmat e tyre.

Këtë gjendje po kërkon të rregullojë reforma antikorrupsion me ndihmën e politikës amerikanë. Por shqiptarët pyesin: si?

Si do të mund të shpëtojnë ata nga kjo gjendje?

Por këtu del kjo pyetje: çfarë është realisht kjo gjendje, dhe si mund të karakterizohet ajo? Në të vërtetë, kjo është një gjendje pushtimi. Shqipëria e sotme është e pushtuar nga hordhitë e korrupsionit shtetëror.

l.

Shqiptarët vetë, me forcat e brendshme të intelektit të vet, ishte e pamundur të shpëtonin nga kjo gjendje. Sot, të gjithë ata që dinë të mendojnë mëvetësisht, e shohin përditë mjerimin e imponuar, dhe e kanë kuptuar që janë të pushtuar.

Shqipëria sot është e pushtuar nga krimi shtetëror, nga krimi i rrugës, dhe nga segmente të veçantë të krimit të organizuar.Të tre këta faktorë punojnë në funksion të njëri-tjetrit.

Si?

Krimi shtetëror në Shqipëri, në 25 vjet rresht, qëndron në dy kolona mbajtëse: në qeverinë e korruptuar, dhe në pushtetin gjyqësor të korruptuar (prokurorinë e korruptuar, dhe gjykatën e korruptuar).

Qeveritë e korruptuara, kudo ku kanë sunduar, kanë shkatërruar intelektualizmin në drejtimin shtetëror dhe kanë bllokuar funksionimin e ligjit. E dini pse nuk bën përpara Afrika? Jo se nuk ka pasuri, por se shtetet afrikane ka 50 vjet që i ka pushtuar korrupsioni. Njëlloj si Shqipërinë në 25 vjetët e fundit.

ll.

Në Shqipëri është shkatërruar me kast arsimi i lartë dhe vetë shkollimi i shqiptarëve. Gjithçka është bërë me skemë nga korrupsioni.

Berisha ishte autori direkt i diplomave fals, dhënë nga universitete fantazmë, të "ngritura me ligj", diploma këto që sot kanë inonduar administratën shtetërore.

Administrata e sotme shtetërore është injorancë e ngritur në një sistem antidije dhe antiprofesion.

Kjo e ka sjellë gjendjen administrative të Shqipërisë në një nënpunësi joprofesionale që gjithë ditën vjedh shqiptarët. Paguhet nën dorë nga krimi i rrugës dhe krimi i organizuar, dhe, shkatërron tregun dhe prodhimin shqiptar në funksion të fitimit individual.

Kjo është në vija të trasha arsyeja reale e Shqipërisë së pushtuar nga korrupsioni dhe, pikërisht kjo është administrata injorante e cila është pushtuesja parësore e shqiptarëve.

lll.

Kush është pushtuesi dytësor i shqiptarëve? Pushtuesi dytësor është pushteti gjyqësor- gjykata dhe prokuroria shqiptare. I gjithë ky pushtet në fakt ka sjellë në Shqipëri krimin dhe pasigurinë. Në një vend ku mungon forca e ligjit, sundon krimi. Kur forca e krimit është më e fortë se forca e ligjit, krimi bëhet sundues i shoqërisë

Një administratë e korruptuar që vjedh shtetin, dhe krim i organizuar që dominon tregun, kjo është sot simbioza e shoqërisë shqiptare.

Është kjo simbiozë që njeriut të thjeshte i ka hequr shpresën dhe i ka ndërkallur në shpirt dyshimin për jetën e sigurt. Kurse, edhe rinia ndihet si pa të ardhme. Të dy këta faktorë psikologjikë kanë sjellë dëshirën e shfrenuar për t’u larguar nga Shqipëria.

Po qeveria aktuale?

Kryeministri shqiptar thotë çdo ditë se shqiptarët ndihen të kënaqur. Por, fakti që priret për të mos e treguar gjendjen e rëndë të shoqërisë shqiptare, kuptohet se po luan kundër shqiptarëve dhe interesit të tyre. Domethënë, si gjithë të tjerët, nuk e do zhvillimin e Shqipërisë.

Por, të gjithë këta, a mund ta frenojnë dot reformën antikorrupsion që ka nisur?

E kanë krejt të pamundur. Ekspertiza amerikanë është në aktivitet të plotë sot në Shqipëri.

SPAK-u është çështje ditësh… Kurse politika amerikanë po ushtron forcë politike kundër korrupsionit të lartë./NOA.al