Transmetuar më 06-11-2019, 23:12

Pas atentatit ndaj prokurorit, disa ditë më parë në media po flitet se kemi të bëjmë me mafien e pronave.

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame këtë të mërkurë në emisionin Opinion u pyet se çfarë po ndodh në Gjirin e Lalëzit.

“Deri pak kohë përpara bëhej kjo gjë: Kur përplaseshin, shkonin te Hipoteka përkatëse dhe atje paraqiteshin. Hipoteka nuk përdorte sistem elektronik. E dyta, shikonte kush ishte më i forti ose kush paguante më shumë dhe regjistronte atë. Ai që mbetej, ose do shtyhej më poshtë ose do shtynte ndonjë tjetër dhe ai do sistemohej. Mbetej tjetri dhe do shtyhej dhe ky.

Sot ç’a ka ndodhur? Kanë ndodhur dy gjëra. E para, që mbaroi Shqipëria. E ndanë të gjithën. E dyta, ne po vendosim kontrollin mbi aparatin e brendshëm të institucionit. Në atë palo sistem që kishte Kadastra, kishte 1750 përdorues. Ishte lënë me qëllim që kushdo të hynte. Në momentin që ne e kemi ulur në 850 ata që kanë akses në sistem, nuk kanë mundësi ta shtyjnë më poshtë.

Ajo që po ndodh tani është sepse Kadastra po fillon të marri rolin e saj, që është magazina e pronave jo gjykata e pronave. Hipoteka më parë ka qenë gjykata e pronave. Në këtë moment atje, në Durrës, nuk e ndan më Durrësi (Kadastra) kë do regjistroje nga dy palët dhe shkojnë në gjykatë. E gjithë Shqipëria ka mbivendosje”, tha Lame.

Po ashtu ai tregoi edhe disa foto se si kanë qenë hartat e hipotekës.

Një tjetër shembull të çuditshëm që tregoi zoti Lame, ishte një rast në Shëngjin, ku dikush pretendonte një tokë brenda në lagunë.

“Ky zotëria ishte ankuar dhe në platformën e Bashkëqeverisjes, sepse thoshte se nuk i shkonin regjistruesit. Ata nuk i shkonin se duhet të shkonin me varkë, domethënë donte tokë në lagunë. E thotë akoma është toka ime, sepse ka bërë ankesë në platformën e Bashkëqeverisjes”, tha Lame.