Transmetuar më 07-11-2019, 14:05

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, ka përsëritur edhe njëherë para largimit të tij nga kjo detyrë domosdoshmërinë e  rivendosjes së besimit të humbur mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, pas vendimit zhgënjyes për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me 18 tetor. Për Hahn kjo është e vetmja rrugë që do të siguronte zbatimin e reformave në këto vende.

“Është koha të mbajmë premtimet dhe angazhimet dhe të pranojmë përparimin e  këtyre dy vendeve. Nuk duhet të lëmë një boshllëk në rajon i cili do të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë politikë që nuk kujdesen për standardet dhe vlerat e BE. Shpresoj që gabimi strategjik i mosdhënies së dritës jeshile të merituar për hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të rregullohet”, tha Hahn.

Deklaratat Hahn i bëri në takimin e grupit ‘Miqtë e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Europian’.

“I lumtur që isha sot në Parlamentin Europian për të diskutuar mbi arritjet dhe perspektivat e integrimit të Ballkanit Perëndimor.  Do të doja të falënderoja  eurodeputetët për mbështetjen e vazhdueshme”, deklaroi ai.

Eurodeputetët vlerësuan komisionerin në largim për zgjerimin Johannes Hahn për bashkëpunimin dhe punën e tij në politika e zgjerimit./b.l/noa.al/