Transmetuar më 07-11-2019, 19:10

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, Andi Maloku, shoferi i prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.

Ai ishte në makinën e këtij të fundit në atentatin e pak ditëve më parë te mbikalimi i Shkozetit.

Maloku mbeti i plagosur më rëndë nga ajo ngjarje, për të cilën është arrestuar Redjan Rraja, si i dyshuari kryesor.

Përpara atentatit, Arjan Ndoja së bashku me Aleksandër Lahon dhe shoferin e tij Andi Maloku kanë qenë duke drekuar në një prej restoranteve në zonën e plazhit.

Më pas prokurori Arjan Ndoja dhe Laho së bashku me shoferin Maloku janë nisur drejt Tiranës.

Në momentin që kanë qenë tek mbikalimi i Shkozetit, një makinë tip "Benz" që mendohet se ka pasur 3 persona, ka qëlluar me breshëri në ecje e sipër, drejt makinës ku ndodhej prokurori.

I ndjeri Andi Maloku kishte dy muaj që kishte filluar punë si shofer i prokurorit Ndoja.

Në atentat, Andi Maloku u godit nga një plumb në mushkëri dhe një në shtyllën kurrizore.

Nga ky atentat mbeti i plagosur Landi Muharremi, i njohur si Aleksandër Laho si dhe prokurori Ndoja.

Kjo ngjarje po hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda, por nuk i ka shpëtuar as artikulimeve politike.

Pak ditë përpara atentatit, emri i prokurorit Ndoja u përmend nga krerë të lartë të Qeverisë, Kryeministri Edi Rama dhe zëvendësi i tij, Erion Braçe, të cilët e akuzuan se bashkëpunon me kriminelë. /k.k/noa.al/