Gjykata greke shpall të pafajshëm emigrantin shqiptar për vrasjen e biznesmenit
Transmetuar më 07-11-2019, 21:10

Gjykata në Greqi ka shpallur të pafajshëm një emigrant shqiptar i cili u përball tre vitet e fundit me akuzën e vrasjes së një biznesmeni vendas.

39 vjeçari shqiptar vrau në 26 qershor të vitit 2016, pronarin 57 vjeçar të një lokali bar-kafe në Klitoria të Ahaias në Greqi.

Vrasja erdhi gjatë një konflikti mes biznesmenit grek dhe një emigranti shqiptar në mjediset e lokalit të të ndjerit.

Shqiptari 39 vjeçar ishte duke u grindur me një tjetër shqiptar kur 57 vjeçari grek ndërhyri në ngjarje dhe në precipitim e sipër u godit në gjoks.

Pronari grek i lokalit pësoi atak kardiak dhe përfundoi në spital. Pak orë më vonë ai ndërroi jetë.

Një ditë më pas policia arrestoi të riun shqiptar, atëherë 36 vjeç. Gjykata vendosi që procesi ndaj tij të zhvillohej në gjendje të lirë dhe sot u dha vendimi final.

Trupi gjykues çmoi se i pandehuri ishte i pafajshëm për akuzën e vrasjes që kishte ngritur prokuroria greke. Sipas gjykatës, goditja në gjoks që pasoi vdekjen e 57 vjeçarit nuk kishte qëllim fatal.

Megjithatë gjykata e dënoi emigrantin shqiptar me 6 muaj burgim për hyrje dhe qëndrim klandestin në Greqi. Gjithashtu atij iu ndalua dalja nga Greqia dhe u urdhërua që të paraqitet periodikisht në policinë lokale.

Loading...
Loading...