Transmetuar më 07-11-2019, 20:08

Do jetojë sërish fëmijërinë larg bombave. Kështu është shprehur Kryeministri i Italisë pas shpëtimit të Alvin Berishës, shqiptari që prej pesë vitesh ndodhej në një kamp në Siri.

“Kthimi i Alvinit në shtëpi është një nga ato historitë që të mbush zemrën. Fëmija shqiptar për vite me radhë në një kamp refugjatësh në Siri, në orët e ardhshme më në fund mund të përqafohet nga babai i tij, që po e pret në Itali. Kjo është arsyeja pse unë shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë autoritetet italiane dhe shqiptare, për organizatat humanitare, për ata që kanë bashkëpunuar për këtë operacion kompleks. Faleminderit edhe për ato media që kthyen në qendër të vëmendjes historinë e Alvinit të vogël.

Qeveria italiane ka bërë gjithçka që është e mundur për lirimin e tij. Unë personalisht ndoqa ngjarjen, duke u informuar për gjithçka dhe duke kontaktuar edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm i diplomacisë, por mbi të gjitha i bashkëpunimit ndërkombëtar, falë rolit të çmuar të luajtur nga Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe italiane dhe ndërhyrja vendimtare e policisë speciale e departamenteve të karabinierisë.

Në pak orë Alvini do jetë i lirë, të jetojë fëmijërinë e tij, të luajë përsëri, të imagjinojë dhe të ndërtojë të ardhmen e tij. Pa kufizime dhe larg bombave, luftërave, fanatizmit”, është shprehur Kryeministri Conte.

Historia e Alvinit i preku të gjithë, ndërsa saga 5-vjeçare e babait të tij u shpërblye me kthimin e të birit. /k.k/noa.al/