Transmetuar më 08-11-2019, 09:28

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Apelit, Artur Kalaja. Në seancën e parë gjyqtari u përball me dyshime për “trajtim preferencial”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje mbi një kontratë sipërmarrjeje të bashkëshortes së gjyqtarit Kalaja si dhe përfitimin e 24 milionë lekëve të babait në AKPP.

Sipas Komisionit, Kalaja s’ka paguar detyrimet doganore të makinës së blerë në gjermani në vlerën 14 mijë euro.

Sipas KPK-së gjithashtu Kalaja në deklaratën periodike nuk ka deklaruar të ardhurat nga qiraja e zyrës në vlerën 200 euro në muaj, të cilën e ka deklaruar vetëm në deklaratën vetting.

Ndaj tij gjithashtu janë konstatuar dhe 6 denoncime, të cilët pas verifikimeve nuk përmbanin fakte dhe rrethana mbi kriterin profesional.

Por Kalaja tha se i plotësonte të gjithë kriteret për të vazhduar detyrën. “S’kam pasuri të paluajtshme, kam vetëm dy mjete. Kam dy fëmijë në shkollë publike,” shpjegoi mes lotësh gjyqtari.

Në fund pas shqyrtimit të dokumenteve dhe kontrollit në tre shtyllat e vettingut komisioni vendosi konfirmimin në detyrë. Trupa gjyqësore e kryesohej nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Firdes Shuli./b.l/noa.al/