Transmetuar më 08-11-2019, 16:12

“Ata më mësonin të bëja luftë. Gjithmonë më qëllonin dhe më bërtisnin se duhet të bëhesha ushtar. Më detyruan të flas vetëm në arabisht”, kjo është dëshmia e parë e vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha, dhënë sot për mediat italiane, pasi ka mbërritur në familjen e tij në Itali.

Vogëlushi shqiptar u shpëtua nga kampi i ferrit “Al Hol”, në Siri, dhe mëngjesin e sotëm arriti të bashkohej me babanë dhe motrat e tij. Ai ishte çuar pesë vite më parë në Siri, nga nëna e tij, pasi kjo e fundit ishte bërë luftëtare e ISIS, por që u vra në një sulm të armatosur.

Alvin Berisha, mbahej në kampin e Al Hol në Siri, pasi u mor nga e ëma e cila u martua me një tjetër, pas largimit nga babai i 11-vjeçarit.

Teksa i shoqi Afrim Berisha punonte, ndërkohë që kishin emigruar në Itali, ajo ishte shtëpiake dhe nëpërmjet internetit vendosi kontakte me imamë në Prishtinë dhe Shkup mes tyre edhe me luftëtarë të ISIS, deri kur në dhjetor të vitit 2014, u largua bashkë me djalin vjeçar nga Italia për në Siri.

Ajo fillimisht shkoi në Turqi pas një udhëtimi me avion dhe nga andej në Siri, ku ndryshoi identitetin dhe mori emrin Yushra. Në Siri ajo u martua me një xhihadist shqiptar dhe u bë edhe me një djalë.

Mirëpo gruaja humbi jetën si pasojë e një shpërthimi bashkë me të shoqin dhe djalin e tyre, ndërsa Alvini mbeti i plagosur rëndë dhe u mbajt për muaj me radhë në kampin e Al Hol në Siri./b.l/noa.al/