Transmetuar më 09-11-2019, 09:44
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Rinasit i koduar “Destinacioni i fundit” ka parandaluar kalimin e kufirit me dokumente false të tre djemve, të cilët synonin Anglinë.

Në sajë të shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Policisë Tiranë u bë finalizimi i operacionit, duke çuar në arrestimin e E. B., 33 vjeç, dhe E. Xh., 25 vjeç, të dy banues në Tepelenë, si dhe K. X., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas pasditen e kësaj të premteje, pas dyshimeve të krijuara gjatë përpunimit të dokumentacionit, kaluan për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë të dyshuarit.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tyre, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre karta identiteti dhe tre karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara.

Nga hetimet e kryera rezultoi se tre të dyshuarit në bashkëpunim me persona të tjerë pasi kishin siguruar paraprakisht dokumenta të falsifikuara italiane me gjeneralitete të shtetasve të tjerë italianë, kanë tentuar të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit tranzit drejt aeroportit të Milanos me destinacion final në Mbretërinë e Bashkuar.

Aktualisht vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorëve që kanë pajisur këta shtetas më dokumenta të falsifikuara dhe që do ti ndihmonin për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë së Madhe.

Për ndjekje të mëtejshme materialet iu referua Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” . /a.y/noa.al/