Transmetuar më 09-11-2019, 09:58

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij “U’ jam Arbëresh”, Presidenti Ilir Meta vizitoi Komunën e Kazalvekios në rajonin e Puljas, ku u prit nga përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh dhe autoritetet lokale, të cilat kishin organizuar edhe një aktivitet kulturor për t’i uruar mirëseardhjen Kreut të Shtetit shqiptar.

Pas takimeve me banorët që kishin dalë për ta pritur, Prersidenti mori pjesë në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve arbëreshe dhe Shqipërisë”.

Në fjalën e rastit Meta tha se, “Ne u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve, sepse jo vetëm kanë ruajtur për shekuj identitetin, historinë, traditën e ritet e tyre, por mbi të gjitha e mbrojtën si të shenjtë figurën e Skënderbeut dhe e rikthyen atë në kohën e duhur për të nxitur rilindjen dhe pavarësinë e Shqipërisë. E them me bindje dhe ndërgjegje të plotë institucionale, politike e kulturore që ne e kemi shtetin tonë në radhë të parë edhe falë atij kontributi historik të arbëreshëve të Italisë”.

Ai shtoi më tej se jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Jugun e Italisë, si dhe në komunat arbëreshe, ka një tendencë të të rinjve për t’u larguar drejt vendeve më të zhvilluara, ndaj nënvizoi se është me rëndësi që t’i kushtohet më shumë vëmendje përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së minorancave.

Sipas tij, nëse në 5 shekuj arbëreshët ruajtën identitetin, kjo është meritë jo vetëm e karakterit të tyre, por një meritë të jashtëzakonshme ka edhe populli italian.

“Tani nevojitet një nivel i ri i marrëdhënieve me Puljan, sepse unë besoj se kemi ende një potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet tona. Fakti që kemi kaq shumë lidhje, por edhe kaq shumë shkëmbime ekonomiko-tregtare, e bën edhe më interaktive një strategji më konkrete të forcimit të bashkëpunimit”, deklaroi Meta. /a.y/noa.al/