Transmetuar më 09-11-2019, 12:08

Në vijim të vizitës së tij në Pulja të Italisë, Presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim me eurodeputetin Mario Furore, senatoren Gisella Naturale dhe deputetët italianë Giorgio Lovecchio, Rosa Menga, Marialuisa Faro, Antonio Tassi dhe Carla Giuliano.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Kazalvekios, Noe Andreano, Presidenti Meta dhe përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike në Parlamentin Italian, ndanë ide për forcimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Presidenti deklaroi se një urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet popujve tanë, janë komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali.

Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit i inkurojoi deputetët italinë për të dhënë mbështetjen e tyre për aplikimin e plotë të ligjit italian për minorancat kulturore, me qëllim që gjuha shqipe dhe ajo arbëreshe të mësohen në zonat ku këto komunitete jetojnë.

“Është me rëndësi që trashëgimia e jashtëzakonshme kulturore arbëreshe, kjo pasuri e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë, të mbrohet dhe promovohet. Gjuha arbëreshe që flitet prej shekujsh brez pas brezi duhet të vazhdojë të jetojë, ndaj ne do ta mirëprisnim aplikimin e duhur të ligjit italian për minorancat kulturore, me qëllim që ajo të mësohet në shkollat shtetërore italiane në të gjitha krahinat ku jetojnë arbëreshët. Me rëndësi është gjithashtu që edhe fëmijët e komunitetit më të ri shqiptar në Itali të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën shqipe në institucionet arsimore italiane”, u shpreh Meta. /a.y/noa.al/