Transmetuar më 10-11-2019, 15:45

Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja ka folur për futbollistët e grumbulluar dhe dy ndeshjet e radhës, të vlefshme për kualifikueset e EURO 2020.

Ndeshja e parë do të luhet në datën 14 nëntor ndaj Andorrës, në stadiumin “Elbasan Arena” dhe ndeshja e fundit për këto kualifikuese, do të jetë ajo me Francën, që do të luhet në stadiumin e ri kombëtar, më 17 nëntor.

Trajneri foli fillimisht për mungesën e Sokol Cikalleshit.

“Për Cikalleshin ne na vjen keq, por kemi një kontigjent të përshtatshëm dhe kemi zgjedhje alternative. Kemi pritshmëri të larta për ta vëzhguar nga afër Florian Kamberin. Gjithashtu është bërë një rritje me rëndësi sa i përket lojës. Dua që të luajmë gjithmonë në të njëjtën mënyrë, me maksimumin tonë. Ndeshja e radhës do të jetë me Andorrën dhe ka një nënvlerësim nga media. Pasi me Francën vëmendja është e madhe, nisur kjo nga vetë kundërshtari, por edhe nga stadiumi i ri. Objektivi ynë i parë është që të arrijmë maksimumin në këto ndeshje”, tha Reja.

“Pak nga pak kemi nisur të fusim lojtarë të rinj dhe na duhen gjithashtu edhe rezultatet, ky është procesi. Pra duhet të bazohemi edhe te lojtarët e rinj dhe pse e kuptoi politikën e FSHF-së, kërkohet edhe siguri për marrjen e rezultateve nga ana tjetër”.

Por përballë Francës, teksa do të luhet në një stadium modern, Reja nuk i fshehu edhe shaktë me paraardhësit e tij në detyrë.

“Panucci dhe De Biasi duhet të jenë pak xhelozë për mua që do të jem për herë të parë në stadiumin e ri dhe ndihem i emocionuar, i privilegjuar. Do të jetë e madhe që lojtarët të luajnë aty. Është një stadium vërtetë i bukur në Europë. Kam ftuar edhe vajzën me gruan. Çështja e Kamberit është dokumentacioni për të qenë gati në këto ndeshje. Shpresojmë të marrim një përgjigje pozitive që të jetë gati për një prej këtyre takimeve. Kemi marrë Uzunin që nuk ishte në herën e fundit për shkak se i besova edhe lojtarëve të rinj, apo Seferin që për arsye teknike nuk arriti të bëri debutimin”.

“Gjithashtu ka vend edhe për rikthime të tjera si Taulant Xhaka që do t’i shohim me kujdes gjatë punës sonë. Së bashku me FSHF-në kemi të njëjtin projekt për të ardhmen. Me Turqinë ju e patë që ishim shumë pranë fitores dhe situata do të ishte e hapur. Na duhej atje një mrekulli dhe nuk ndodhi. Unë kam një apel për tifozët shqiptarë që të na mbështesin ndaj Andorrës”, tha Reja.

Trajneri para se të bëj llogaritë për ndeshjen e fundit, foli për atë ndaj Andorrës, ku kërkohet veçse një fitore, madje bindëse.

“Kam dëgjuar që nuk ka shumë interes dhe pa tifozë nuk ka futboll. Mua nuk më pëlqen një skuadër eksperimentale dhe nuk dua që të bëj eksperimente me formacionin. Andorra luan me një modul 4-4-2 dhe e kemi parë kundër Moldavisë dhe Turqisë. Ata janë mbrojtur shumë mirë dhe do të presim momentin e duhur për ta goditur. Kështu kërkohet të ketë durim nga ana jonë dhe mos të rrezikojmë shumë me kundërsulmet.”

Stadiumi i ri që do të inaugurohet më 17 nëntor, do të presë ndeshjen e parë eksperimentale sot në mbrëmje, atë të futbollit të femrave, mes Vllaznisë dhe Apolonisë./NOA.al