Transmetuar më 11-11-2019, 14:45

Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur grumbullimin në prag të dy sfidave të fundit në eliminatoret e Euro 2020 kundër Andorrës më 14 nëntor dhe Francës tre ditë më pas.

Për këto dy sfida kanë folur sot dy lojtarë të kombëtares, Emanuele Ndoji dhe Myrto Uzuni, të cilët janë të rikthyerit e Edi Reja-s. Ndoji fillimisht foli për këtë çështje, ndërsa më pas komentoi konkurencën në repartin e mesfushës:

“Bare dhe Gjasula janë lojtarë shumë të fortë. Duhet të japësh 100% në stërvitje për t’i treguar trajnerit që je gati. Konkurrenca është e mirë për ekipin”, tha ai.

Ndërkohë sulmuesi Uzuni u shpreh se nuk ishte ndjerë mirë për mungesën në dy sfidat e kaluara.

“Nuk jam ndjerë mirë kur nuk u grumbullova, por jam shumë i lumtur që u riktheva. Isha dhe duke lozur. Trajneri e pa që unë po bëja mirë. Ai nuk mund t’i japë llogari lojtarit që pse nuk po e thërret”, u shpreh Uzuni.

UEFA sot ka caktuar edhe arbitrat për ndeshjen me Andorën që do të jenë një katërshe nga Estonia me kryesor Kristo Tohver. Ndërkohë tre futbollistët të cilët rrezikojnë të humbasin sfidën me Francën në rast se ndëshkohen me të verdhë janë Keidi Bare, Kastriot Dermaku dhe Taulant Xhaka.

Një ditë më parë trajneri Edi Reja publikoi listën e zgjeruar me 26 futbollistë, si dhe një listë pritje me tetë lojtarë të tjerë.

Një risi kjo që mban firmën e teknikut italian dhe që konfirmon faktin se në përfaqëusesen kuqezi ka një prurje të madhe nga një brez tjetër futbollistësh, shumica e të cilëve e rritur dhe e formuar në Europë./b.l/noa.al/