Transmetuar më 12-11-2019, 21:07

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një njoftimi se "Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila duhet të sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara, por edhe më shumë paqe e qëndrueshëmri në tërë rajonin e Ballkanit".

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ritheksoi kërkesën e Serbisë për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe si kusht për rifillimin e bisedimeve të pezulluara një vit më parë.

Diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, ku ende po vazhdon procesi i numërimit e rinumërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shkruan VOA.

Shtetet e Bashkuara nëpërmjet të dërguarve të posaçëm për Ballkanin dhe për bisedimet Kosovë – Serbi, Mathew Palmer dhe Richard Grenell janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi dhe presidenti Vuçiç, e vlerësuan veprimin e presidentit francez i cili muajin e kaluar nxiti shumë reagime me bllokimin e hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.