Transmetuar më 13-11-2019, 13:10

Shqipëria do të luajë ditën e nesërme me Andorrën në stadiumin “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020. Në prag të kësaj sfide në konferencë për shtyp ka dalë tekniku i kuqezinjve, Edi Reja, i cili ka folur për këtë sfidë por jo vetëm. Ai është shprehur se ka një skuadër me djem inteligjent, ndërsa thekson se sfida me Andorrën është e rëndësishme.

“Nuk ka ndeshje të lehta. Pra, nuk duhet nënvlerësuan në asnjë lloj momenti. Çikalleshi na ka dhënë një dorë shumë të mirë me rendimentin e tij. Është një mungesë e rëndësishme. Kam 5 sulmues shumë të mirë. Është prurja e re, Florian Kamberi dhe rikthimi i Myrto Uzunit. Ne kemi një grup që ka formë fizike të mirë dhe me karakteristika të njëjta. Nesër do ta vendos se kush do të luaj, në varësi të situatës. Kemi gjithashtu, Taulant Seferin dhe Bekim Balaj që janë shumë të rëndësishëm”, tha Reja.

Ndërsa lidhur me mungesën e Xhakës, ai ka deklaruar se kanë folur në telefon me të bashkëpunëtorët e tij. “Ai na ka sqaruar se në ndeshjen e fundit me Basel ka dalë 10 minuta para fundit të lojës. Na ka kërkuar që ta lëjmë të qetë për tu rikuperuar plotësisht dhe kur lojtari ta kërkon e nuk është në 100% e tij është më mirë që të pushojë.

Kemi krijuar një ekuilibër në skuadër, që na krijon mundësi dhe alternativa në skuadër. Kërkoj lojtarë që të jenë të qetë në kombëtare. Duhet të jenë të gatshëm, pasi është një detyrë e trajnerit që të aktivizojë dhe të hedh në fushë lojtarët që duan. Më vjen keq për Eros Grezdën, i cili nuk preferoi të pranojë ftesën tonë për disa arsyeje. Synojmë që të kemi një personalitet. Rëndësi ka grupi dhe më pas individi”, shtoin ai.

Edhe Kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Andorrës. Mbrojtësi i Napolit pohoi se grupi është më i bashkuar se kurrë dhe dueli ndaj modestëve të Andorrës është më i rëndësishëm se ai ndaj Francës.

"Jemi shumë të bashkuar, ashtu siç edhe e keni kuptuar edhe ju. Me ndihmën e trajnerit kërkojmë të bëjmë një grup dhe një skuadër të mirë. Unë jam mirë sepse luajta në ndeshjen e fundit. Jam mirë fizikisht. Po mendojmë më parë për Andorrën dhe tentojmë që të bëjmë maksimumin për të vendosur edhe rekordin e pikëve.

Më pas ndaj Francës do të ketë tifozeri të mirë, stadium të bukur dhe besoj se do të kemi edhe rezultatin. Jam i sigurtë që të gjithë po flasim për ndeshjen me Francën. Unë, lojtarët dhe trajneri janë të sigurtë se ndeshja e rëndësishme është ajo e nesërmja ndaj Andorrës. Do të përpiqemi të sulmojmë dhe të mos pësojmë gol. Duhet të jemi të qetë dhe të bëjmë detyrat e duhura", tha ai. /b.l/noa.al/