Transmetuar më 13-11-2019, 16:05

Mesfushori Taulant Xhaka, një ndër pikat më të forta të Kombëtares kuqezi, ka refuzuar të grumbullohet për dy ndeshjet e mbetura kualifikuese Euro 2020, ndaj Andorrës dhe Francës.

Xhaka ishte lënë në listë pritje nga trajneri Edi Reja, çka krijoi edhe dyshime se nga pakënaqësia nuk i është përgjigjur thirrjes së tij.

Por lojtari i Basel tha se "nuk e kam refuzuar kurrë Shqipërinë”, dhe më tej sqaroi: “Unë për flamurin kuqezi kam dhënë gjithçka! Nuk është e vërtetë që kam refuzuar të vij. Jam i dëmtuar dhe kjo është arsyeja”.

Sakaq, kuqezinjtë kanë zhvilluar përgatitjet e fundit para ndeshjes së nesërme me Andorrën.

Një dite para ndeshjes Shqipëri-Andorra, që do të luhet nesër në "Elbasan Arena", trajneri Edoardo Reja shprehet se aktualisht skuadra është në gjendje optimale dhe do të kërkojnë fitoren përballë Andorras, duke mos bërë asnjë nënvlerësim. Gjithashtu ai kërkon impenjim maksimal për të arritur plotësimin e objektivit primar, fitoren.

“Që ditën e parë ua kam thënë disa herë që pika e referimit është ndeshja me Andorrën, pasi nëse nuk fitojmë aty, nuk ka vlerë më ndeshja tjetër më pas. Në futbollin e sotëm nuk ka skuadra të lehtë dhe kjo është një ndeshje që duhet përballuar me maksimumin tonë."

Ai goli edhe për lënien jashtë të Cikalleshit.

"Cikalleshi ka luajtur gjithmonë me rendiment të lartë, por unë kam një grup lojtarësh, që pak a shumë janë të barabartë në atë që japin.  Duhet të shoh fillimisht gjendjen fizike të të gjithëve dhe më pas do të bëj zgjedhjet e mia. Nuk dua që të varemi nga prania apo mungesa e një individi, por të luajmë si grup dhe të bëjmë mirë detyrën në fushë. Kemi edhe Seferin e Balajn, pra na bëhen 5 sulmues përpara dhe kemi opsione të ndryshme e të rëndësishme. Kemi krijuar një ekuilibër në këtë skuadër, që na lejon të kemi shumë opsione."

"Unë dua që lojtarët që vijnë këtu të jenë të qetë pavarësisht luajnë apo nuk luajnë. Kjo është një detyrë e trajnerit, për të vendosur se kush do luajë apo jo. Kemi një grup solid. Nëse përmendim Eros Grezdës, më vjen keq, pasi mori ftesën dhe nuk pranoj të vijë. Mbi të gjitha është Shqipëria, rëndësi ka grupi. Nëse dikush mendon se është Mesi, nuk është kështu”, theksoi trajneri Reja.

Kapiteni Elseid Hysaj i bëri thirrje tifozëve të jenë në stadium nesër për të mbështetur skuadrën. “Jemi shumë më të fortë dhe të bashkuar, si jashtë, ashtu edhe brenda fushës. Janë të gjithë djem shumë të rinj dhe jemi gati të ndihmojmë njëri-tjetrin e skuadrën dhe një grup i mirë për të ecur përpara. Unë personalisht jam mirë dhe luajta edhe në ndeshjen e fundit në kampionatin italian, ndaj jam gati të zbres në fushë. Stadiumi është shumë i bukur dhe do të jetë plot me tifozë, por ne duhet të mendojmë fillimisht për ndeshjen me Andorrën, që është më e rëndësishme, sepse duhet të marrim 3 pikët aty."

"Ndaj Francës do kemi emocione të tjera, por flasim më vonë për të.  Sigurisht që të gjithë jashtë flasin për ndeshjen me Francën dhe është normale, por ne dhe trajneri e dimë që më e rëndësishme është ndeshja me Andorrën dhe jemi përgatitur mirë, që të shmangim surprizat e të bëjmë një 90-minutësh dinjitoz. Me Andorrën do të jetë një ndeshje e ngjashme me Moldavinë. Do të provojmë të sulmojmë vazhdimisht, por duhet edhe të mos marrim gol. Lojtarët janë në një moment të mirë dhe po luajnë rregullisht, ndaj kam besim se do bëjmë performancë të mire”./NOA.al