Transmetuar më 13-11-2019, 23:30

Sa i përket tarifës 100 përqind të vendosura për mallrat serbe, Vjosa Osmani thotë se ajo do të zëvendësohet me reciprocitet. Të njëjtën gjë e ka thënë dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Osmani, e ftuar në Opinion këtë mbrëmje, u shpreh se kjo tarifë u vendos nga Ramush Haradinaj për të mbrojtur kufijtë dhe për të fshehur dështimet e qeverisë së tij.

“Parimore sot është të mbrohet Republika e Kosovës në kufijtë aktualë dhe të bëjmë çmos që ajo të jetë shtet i suksesshëm në aspektin sundimit të ligjit. Tarifa duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Është masë që e njohin shtete në fushën e të drejtës ndërkombëtare tregtare. Serbia ta zëmë nuk njeh vulat doganore, nuk njeh certifikatat që lëshojnë institucionet tona. Masat e reciprocitetit nuk mund të merren me një vendim shkel e shko. Tarifa nuk do të ketë nevojë të mbahet nëse vendoset reciprociteti. Raportet tregtare me Serbinë mund të rregullohet vetëm përmes reciprocitetit. Tarifa është vendosur për dy arsye themelore, kryeministri nuk e ka konsultuar fare me ne. E para për arsye tregtare dhe e dyta politike, për të mbuluar dështimet e tij. Përshtypja e tij, ka qenë nëse do të jetë tarifa presidenti Vuçiç nuk do të shkojë në Bruksel për dialog. Tani më nuk ka nevojë për tarifën për të mbrojtur kufijtë, tanimë kufijtë do t’i mbrojë qeveria e Kosovës. Ne nuk do ti negociojmë ato, tarifa nuk mund të përdoret më si masë për të parandaluar negocimin e kufijve sepse ne nuk do ta bëjmë atë. Ne do ta parandalojmë një gjë të tillë dhe jo tarifa”, tha zonja Osmani.

Në lidhje me situatën brenda partisë së vetë, ajo tha se brenda LDK-së nuk ka përplasje, pavarësisht atyre që shkruajnë mediat.

“Kemi një qëndrim të unifikuar pa asnjë votë kundër që të negociojmë me VV dhe ti vëmë vijë të kuqe PDK-së”, tha Osmani. Po ashtu ajo theksoi se qeveria e re do të kërkojë që edhe opozita të përfshihet në ato tema që janë tejet të rëndësishme.