Transmetuar më 14-11-2019, 15:55

Kuqezinjtë përballen sot në mbrëmje në "Elbasan Arena" me Andorra-n, (20:45), në ndeshjen e parafundit kualifikuese Euro 2020, që duhet ta fitojnë dhe nëse ia dalin do të thyejnë rekordin e pikëve të arritura ndonjëherë, në një fushatë eliminatore. Pa llogaritur ndeshjen e mbetur me Francën, Shqipëria do të ngjitet me një trepikësh ndaj Andorrës, në kuotën e 15 pikëve.

Trajneri Edy Reja kërkoi mbështetje sa më të madhe nga tifozët, pasi kuqezinjve iu duhet medoemos fitorja.

Shqipëria pritet të bëjë detyrën përballë Andorrës, që deri tani ka grumbulluar 3 pikë në këto eliminatore dhe kërkon të qëndrojë në vendin e parafundit.

Ndryshime në formacionin kuqezi do të ketë krahasuar me ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë. Trajneri Reja synon të ruajë disa nga titullarët, për sfidën ndaj Francës. Në sulm mund të debutojnë Florian Kamberi ose Taulant Seferi, ndërkohë që në mesfushë Klaus Gjasula është i skualifikuar, Abrashi i dëmtuar, Memushaj jo në formën optimale, ndërsa Xhaka dhe Kaçe nuk janë grumbulluar.

Vetëm një fitore dhe një lojë bindëse do të ndizte atmosferën para ndeshjes së mbetur me Francën, ndeshje që do të luhet më 17 Nëntor, në stadiumin e ri që do të inaugurohet në Tiranë. /NOA.al