Transmetuar më 14-11-2019, 17:01

Presidenti Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” atleten Luiza Gega, në një ceremoninë solemne, të zhvilluar në ambientet e Institucionit të Kreut të Shtetit.

Presidenti Meta i dorëzoi Titullin kampiones së atletikës shqiptare me motivacionin: “Për talentin, karakterin dhe profesionalizmin e treguar në arritjen e rezultateve të larta në sportin e atletikës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlera të mëdha si atlete e niveleve botërore, shembull frymëzimi për të gjithë sportistët e rinj e të reja”.

"E konsideroj një privilegj të nderoj sot një nga sportistet më të shquara në gjithë historinë e Atletikës shqiptare, vrapuesen e jashtëzakonshme Luiza Gega".

"Ajo ka dhënë gjithçka për sportin që dashuron aq shumë, për atletikën".

"Luiza është një atlete e përmasave botërore. Si sportiste ka thyer rekorde, ka fituar në gara të rëndësishme shumë të ndërkombëtare dhe na ka frymëzuar të gjithëve me rezultatet e saj, në kampionatet Botërore, Europiane, Ballkanike e Lojërat Mesdhetare".

"Serioziteti e sakrificat në punën e saj janë themeli i sukseseve të shumta", theksoi Meta gjatë dekorimit të Luiza Gegës. /NOA.al