Transmetuar më 15-11-2019, 11:57

Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare lidhur me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer tonet kërcënuese ndaj Presidentit Ilir Meta.

Duke folur për ngërçin në Kushtetuese, ai deklaroi se nuk di që ndonjë Kushtetutë e ndonjë vendi demokratik të krijojë një situatë të tillë, por se vendit i ka rënë taksirati që të ketë një President si Ilir Meta.

Në këtë drejtim ai i bëri një thirrje Parlamentit duke thënë, “Ky Parlament duhet të marrë masa ligjore kushtetuese për të krijuar gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant bllokimi që zyrën e Presidenti e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët, dhe popullin shqiptar”.

Ai shprehu besimin që komisioni për shkarkimin e Presidentit duhet ta konsiderojë seriozisht edhe paketën e rekomandimeve të Kuvendit ashtu sikunder në dritën e kësaj ngjarje të re, Kuvendi dhe gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të ardhur dhe për të votuar neutralizimin e akteve të Presidentit dhe akteve antikushtetuese dhe anti ligjore.

Rama e cilësoi si diçka të thjeshtë dhe më konkretisht një reformë drejtësie për të hequr interesat e politikës nga procesi i emërimeve.

“Kemi ngritur një institucion të posaçëm të pavarur, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili është institucioni i vetëm, që ka detyrimin që udhëheqë procesin dhe ti vendosë përpara Presidentit dhe Kuvendit listat e kandidaturave sipas mekanizmave të mirëpërcaktuar dhe sipas radhës për të zgjedhur. Na ka rënë ky taksirat, i ka rënë ky taksirat shqiptarëve dhe do bashkëjetojmë me këtë taksirat për aq kohë sa zyra e Presidenti do të jetë ‘tokë e xanun’ nga dikush që ka humbur busullën”, deklaroi Rama.

Kryeministri kujtoi se veprimet e mazhorancës qeverisëse janë të rakorduara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian duke kujtuar se nuk janë të vetëm në këtë proces. /a.y/noa.al/

Meta sërish në konferencë të jashtëzakonshme për Kushtetuesen, flet në 14.00

“Kushtetuesja”, Rama: Meta e ka humbur busullën, Presidenca e kthyer në frëngji, sulmon nga të katërta anët

Meta: Askush të mos guxojë të përdhosë Kushtetuesen! Do i drejtohem popullit dhe gjithë botës