Transmetuar më 15-11-2019, 11:58

"Mbi nevojën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese" është projekt rezoluta që u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë me 97 vota pro.

Votimi u bë në seancën e jashtëzakonshme parlamentare ditën e sotme, lidhur me ngërçin e krijuar në Kushtetuese, teksa për të njëjtin vend u votua në parlament Arta Vorpsi e përzgjedhura e KED, ndërsa Presidenti dekretoi emrin e Marsida Xhaferllarit.

Në projekt-rezolutën që u diskutua sot në Parlament, thuhej se “Mosushtrimi i kompetencës brenda 30 ditësh nga Presidenti sjell emërimin si gjyqtar kushtetues të kandidatit të renditur i pari në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ështmë organi i vetëm kushtetues që përcakton renditjen e tre të parëve si kandidatë, ndërmjet të cilëve duhet të emërojë ose zgjedhë Presidenti ose Kuvendi. Qëllimi i këtij rregulli kushtetues dhe ligjor është kufizimi i diskrecionit për të tre organet e emërtesës, përkatësisht Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë,për të vendosur brenda renditjes së përcaktuar në vendimin e këtij Këshilli.

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”.