Transmetuar më 15-11-2019, 12:06

Zv/kryeministri Erion Braçe i është përgjigjur interesit të medias lidhur me betimin e Arta Vorpsit si anëtare e gjykatës Kushtetuese, te noterja Miranda Xhemalçe. Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme, Braçe tha se kur flasim për Kushtetutën duhet t’i referohemi asaj në tërësi.

“Kam përshtypjen që ju mediat i jeni referuar kryetaren e dhomës së noterëve e cila i është refuar një procesi ligjor. Noteria funksionon mbi bazë të një ligji dhe në asnjë rast nuk është parukeri. Kushtetuta ka thënë që i katërti nuk bëhet dot i dytë, i pesti nuk bëhet dot i pari, ndaj kur flasim për kushtetutë i referohemi në tërësi”- u shpreh Braçe.

Ndërsa ndaj deklaratës së presidentit Ilir Meta se parlamenti shpërndahet me një dekret, Braçe I është përgjigjur duke thënë se: “Me qejf çdo berber mund ta shpërndajë parlamentin por kujt i referohet”,

Ndërkohë Parlamenti miratoi me 97 vota pro dhe 4 abstenim, në seancë të jashtëzakonshme pr/ rezolutën për shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e gjykatës kushtetuese. Përmes kësaj pr/rezolute, Kuvendi i kërkon Presidentit të reflektojë dhe të respektojë vetëm kompetencat që i njeh Kushtetuta.

Gjatë kësaj seancë është votuar me konsensus edhe zgjatja e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nga ana e tij, Presidenti ka njoftuar se do të dalë në një konferencë për median në orën  14:00./b.l/noa.al/