Transmetuar më 15-11-2019, 13:27

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, e cila u betua mbrëmjen e kaluar para Presidenti të Republikës, Marsida Xhaferllari, ka lënë në këto momente ambientet e këtij institucioni.

Burimet bëjnë me dije se pak më parë ishte mbajtur një mbledhje brenda ambienteve të kësaj gjykate, ku kishin marrë pjesë   Tusha, Toska, Papajorgji dhe Muçi ndërsa  Vorpsi dhe Xhaferllari kanë qenë në zyrat e tyre.

Mësohet se Gjykata Kushtetuese do të dalë pas pak në një deklaratë për mediat, por pa specifikuar çështjen për të cilën do flasë.

Dekretimi i Xhaferllarit nga kreu i shtetit për në Gjykatën Kushtetuese është kundërshtuar ashpër nga maxhoranca, e cila këtë veprim e ka cilësuar antikushtetues.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është rasti më flagrant i përplasjes maxhorancë-opozitë se kush po tenton ta kapë këtë institucion.

Që nga dita e hënë, duke filluar nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe të tjerët me radhë kundërshtuan kandidaturën e Marsida Xhaferllarit për gjyqtare kushtetuese, jo duke i bërë vërejtje profesionale, por ngaqë sipas tyre bashkëjeton me demokratin Enkelejd Alibeaj.

Në një linjë me socialistët kanë qenë edhe Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, dhe kreu i KED-it, Ardian Dvorani. Të dy këta i kanë vënë zero pikë Xhaferllarit në vlerësimin e bërë për kandidatët për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese./b.l/noa.al/