Transmetuar më 15-11-2019, 13:47

Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu dhe sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata dorëzuan kallëzimin ndaj Policisë për dhunën ndaj banorëve të Unazës së Re.

Kallëzimi penal ndaj Policisë u bë për përplasjet e mëngjesit të së martës mes banorëve dhe punonjësve të Policisë.

Në një prononcim për mediat, Balliu tha se padia është ngritur ndaj: Niko Brahimajt, drejtor i policisë vendore Tiranë, Ermal Kapllanajt kryeinspektor i policisë bashkiake, Dallëndyshe Bicit, drejtuese e IKMT-së si edhe Granit Korbit, përgjegjës i degës IKMT, Tiranë.

Më tej Balliu deklaroi se kallëzimi penal është hapi i parë i një premtimi të bërë nga PD për banorët e unazës, ndërsa theksoi se që të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë do të vihen përpara përgjegjësisë.

“PD do të vijojë me demaskimet, projekti është fiktiv gjithçka kanë hequr mbi kurriz duhet t’iu paguhet atyre banorëve. Ky është hapi i parë për të vënë para drejtësisë përgjegjësit. Hapi i dytë, dëmshpërblim cent për cent të banesave, edhe banorët këtë duan, sa duan arrestimin e atyre që i dhunuan, nuk duan dëmshpërblim.” u shpreh Balliu.

Ndërkohë sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata tha se në padinë penale janë parashtruar të gjitha të drejtat kushtetuese të banorëve që janë shkelur te Unaza e Re./b.l/noa.al/