Transmetuar më 15-11-2019, 15:09

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai iu rikthye ‘avazit’ të vjetër, se shkeljet ligjore e kushtetuese, po  i ndërmerr në marrëveshje me ndërkombëtarët. Paloka thekson se të njëjtën taktikë Rama e ndoqi dhe kur vendi u mbush nga kanabisi.

“Rama ju kthye dhe sot “avazit” të vjetër sipas të cilit gjithë shkeljet ligjore e kushtetuese që ai ndërmerr i bën me marrëveshje me ndërkombëtarët. Ndërkohë gjithë ata që denoncojnë e kundërshtojnë shkeljet e tij, janë kundër BE apo SHBA…!!! Mos harrojmë se ketë “taktikë” Rama e ndoqi herë në mënyrë abuzive e herë me sukses dhe me kanabizimin e vendit kur përpiqej ta paraqiste realitetin me deklarata të disa diplomatëve megjithëse kanabisi kishte pushtuar çdo pëllëmbë. Kjo vazhdoi deri sa ju doli boja fare…”, shkruan Paloka.

Më tej ai shprehet se sot, po i njëjti që sipas Palokës për reformën zgjedhore nuk i do as pranë ndërkombëtarët, nxorri përpara ndërkombëtarët për të justifikuar shkeljen e Kushtetutës dhe kapjen e drejtësisë…

“Unë nuk e di dhe nuk besoj se ka ndonjë përfaqësues të vendeve demokratike që mbështeska Ramën në kapjen e drejtësisë në mënyrë antikushtetuese. Nga ajo që kemi dëgjuar publikisht, partnerët janë angazhuar dhe mbështesin ngritjen e një drejtësie të pakorruptuar e të pavarur. Një drejtësi që dënon politikanët, qeveritarët e korruptuar e të lidhur me krimin, Ministrat e funksionarët që në bashkëpunim me krimin kanë blerë e manipuluar votat e shqiptarëve. Të paktën në kushtet e Bundestagut këto kemi lexuar. Edhe në raportet e Departamentit Amerikan  të njëjtën linjë kemi parë ( e nuk mund të jetë ndryshe) kështu që nuk dihet për cilët partnerë flet Rama”, shtoi ai.

Sipas Palokës, “Është e vërtetë që ndërkombëtarët , ashtu si opozita, kërkojnë ngritjen sa më parë jo vetëm të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë, po dhe gjithë institucioneve të tjera të parashikuara nga Kushtetuta sidomos SPAK dhe BKH. Kush i shkatrroi gjykatat? Kush i ka penguar dhe vazhdon ti pengojë këto institucione? Kush e zvarriti dy vjet e vazhdon të zvarrisë dhe sot ngritjen e tyre?

Opozita, që nuk ka më asgjë në dorë përveç fjalës?! Kush e stërzgjat Vettingun për ta përdorur si mjet presioni ndaj gjyqtarëve e prokurorëve? Kush nuk ju jep as fondet dhe stafet e domosdoshme  për kryerjen e funksioneve elementare këtyre institucioneve? Sigurisht edhe shqiptari më naiv e di dhe e kupton se kujt i duhet një drejtësi e kapur sepse sot e di kushdo se kush është i korruptuari dhe i lidhur me krimin. Kjo është arsyeja pse Rama nuk mund të lejojë ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Prandaj ose të kapura prej tij ose të bllokuara”./b.l/noa.al/