Transmetuar më 15-11-2019, 15:26

Teksa kishte paralajmëruar një konferencë për mediat që u shty nga ora 13:00 në 14:00 e më tej pa një orar fiks, në zyrën e presidentit të Republikës Ilir Meta, ka mbërritur ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca.

Kjo është edhe arsyeja pse Meta e ka shtyrë konferencën, dhe do të dalë të shprehet për mediat pas këtij takimi.

Sot Meta tha se për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, shumë shpejt do t’i drejtohet popullit, duke lënë të nënkuptuar një referendum, por pa specifikuar konkretisht pyetjen.

Ai tha se parimet kushtetuese janë të sanksionuara pavarësisht nga deformimet e pandershme që mundohen ti bëjnë.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm në vend, dhe parlamenti me një mocion rrëzohet, gjithashtu edhe Presidenti mund të shkarkohet, por jo Gjykata Kushtetuese.

Pak më herët edhe Gjykata Kushtetuese doli me deklaratë lidhur me ngërçin e krijuar në radhët e saj, teksa për të njëjtin vend u votua në parlament Arta Vorpsi e përzgjedhura e KED, ndërsa Presidenti dekretoi emrin e Marsida Xhaferllarit.

Ajo që kuptohet nga deklarata është se njihen ata gjyqtarë që janë betuar para Presidentit dhe në këtë linjë deklarohet se "Gjykata është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës"./b.l/noa.al/