Transmetuar më 15-11-2019, 16:47

Presidenti, Ilir Meta, thotë se nuk ka qenë aspak emocionale deklarata e tij sot më herët që Kuvendi i Shqipërisë mund të shpërndahet me një dekret nga ana e tij.

Në konferencën e jashtëzakonshme të sotme për mediat, pasi ngriti padi ndaj kreut të KED, Meta tha se Gjykata Kushtetuese është vija e kuqe për këdo dhe nuk mund të luhet me të.

“Garante e Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese, pastaj Presidenti e me radhë. Parlamenti me një dekret shpërndahet,  se në çfarë rrethanash dhe si është çështje tjetër. Presidenti shkarkohet nga ai parlament legjitim dhe në fund fare e shkarkon Gjykata Kushtetuese. Qeveria a rrëzohet me një mocion mosbesimi? Nuk ka me Gjykatën Kushtetuese, dhe këtu nuk luhet, është vijë e kuqe për cilindo”, u shpreh Meta.

“Është e vetmja që mund të mbrojë popullin shqiptar, interesat kombëtare dhe shtetërore. Një Gjykatë Kushtetuese e zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, të paligjshme, e zgjedhur në mënyrë mafioze kërcënon seriozisht interesat shtetërore dhe kombëtare dhe të drejtat e qytetarëve”.

Por pasi Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot ashpër ndaj akuzave të mazhorancës, madje paralajmëroi deputetët se me dekret mund të shpërndahet edhe Kuvendi, teksa nga parlamentarët po diskutohej rezoluta kundër tij, deputetët socialist nuk besojnë se mund të ndodhë diçka e tillë.

Numri dy i qeverisë, Erion Brace, si dhe kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ulsi Manja, thanë se  kreu i shtetit nuk ka asnjë shans që të marrë një veprim të tillë.

Manja nuk i kurseu akuzat ndaj tij. “Sovranin e ka zgjedhur populli dhe jo Presidenti. Është populli ai që vendos për sovranin”, u shpreh ai.

Zëvendës kryeministri Braçe, u shpreh edhe më i ashpër kur shtoi se “çdo berber në Shqipëri mund të dali dhe ta shpërndajë parlamentin, problemi është kujt i referohet? I referohet rregullave të berberhanes, apo dokumenteve të shtetit. Nëse i referohet dokumenteve të shtetit, hyni, lexoni Kushtetutën dhe shikoni ka të drejtë apo jo”.

Ndryshe nga  kolegët Pandeli Majko, me një gjuhë me të butë kërkoi konsensus, për të tejkaluar ngërçin. “Mendoj që Presidentit në bazë të Kushtetutës i takon të jetë protagonist i stabilitetit dhe i sigurisë kombëtare. Nuk besoj që dialogu, apo sherri politik në Shqipëri duhet të precipitojë në histori të natyrave të tilla”.

“Shqipëria e ka të nevojshme në këtë situatë për shumë arsye stabilitetin politik, institucional dhe mbi të gjitha atë që na kërkojnë edhe miqtë tanë, vendosjen e një dialogu ndërmjet palëve. Ç’rëndësi ka midis asaj që është në parlament dhe asaj që nuk është. Nga PS është shprehur gatishmëria”, theksoi Majko.

Në një studio televizive, avokati Spartak Ngjela u shpreh se Meta ka humbur ekuilibrin e tij dhe nuk mund të shpërndajë Kuvendin, sepse në një rast të tillë, do të dënohet me “burgim të përjetshëm.” Sipas Ngjelës, në një vend me demokraci parlamentare, Presidenti e shpërndan Kuvendin vetëm kur nuk formohet dot qeveria, apo nuk zgjidhet kryeministri. /NOA.al