Transmetuar më 15-11-2019, 17:27

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka reaguar menjëherë lidhur me padinë e presidentit Ilir Meta, ndaj tij.

Dvorani tha se "në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje".

“Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo”, – shtoi në reagimin e tij kreu i KED.

Pra, ai la të kuptohet se denoncimi dhe padia është e drejtë e kujtdo, në rastin konkret edhe e Presidentit, prandaj u shpreh se ironikisht se pranon atë, dhe është gati të përballet me akuzat, por duke qenë i sigurt se nuk ka kryer ndonjë vepër penale.

Më tej, kreu i KED thotë se si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.

“Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojëra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës”.

Presidenti Ilir Meta në një konferencë të jashtëzakonshme njoftoi se do të depozitojë të hënën kallzim penal ndaj kreut të KED për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore.

Presidenti Ilir Meta ngriti sot padi me dy akuza ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë këtë “akt mafioz”.

Por Dvorani thekson se respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi./NOA.al