Transmetuar më 15-11-2019, 17:45

Sipas gazetares së njohur, Sonila Meço, për të zgjidhur krizën ndërkombëtarët duhet të kuptojnë alternativën e re.  Ajo përmendi si përfaqësues të kësaj alternative kreun e opozitës, Lulzim Basha, i cili ka ndërmarrë një turn në të gjithë Shqipërinë për prezantimin e programit të tij.

Meço tha se alternativa e re është nyja gordiane e të gjitha diskutimeve që bëhen për zgjidhjen e krizës në vend, ndërsa u shprehe e bindur, se shqiptarë, nëse do të jenë të lirë të shprehin vullnetin e tyre, do ta votojnë alternativën e re, që sipas saj kërkon në këto momente mbështetjen faktorit ndërkombëtar, të cilët pas rënies nga pushteti, duket se opozita nuk e ka pasur.

E pyetur se a ka Shqipëria një alternative të re politike, Sonila Meço theksoi:

Fjala alternativë ndoshta është nyja gordiane e të gjithë diskutimit. Ndoshta do ishte më i lehtë diskutimi për mbështetjen që Edi Rama ka nga ndërkombëtarët në momentin që artikulohet një alternativë e qartë që mund të jetë në atë ardhmen mundësia për të zgjidhur këtë krizë.”

“Ndoshta ndërkombëtarët ende duhet të kuptojnë këtë alternativë. Ne kemi Bashën që ka dalë në një tur duke prezantuar programin e tij dhe gradualisht ekipin që rri në hije, për t’u paraqitur si alternativë qeverisëse në të nesërmen”.

Gazetarja Sonila Meço komentoi krizën politike që ka mbërthyer vendin prej disa muajsh, teksa ishte e ftuar sot në RTV Ora.

Ajo parashikoi edhe vështirësi derisa të shkojmë në alternativën e re të Bashës.

“Problemi qëndron se si do të shkojmë nesër në këtë alternativë të re. Nëpërmjet një procesi zgjedhor, i cili do të shkojë me reformë të realizuar apo të parealizuar. Do të jetë një reformë që do të përmbushë qëllimin primar që vota e shqiptarit të llogaritet, të jetë e barabartë dhe e vlefshme nga veriu në jug. Pra do të shkojmë me këtë?”

“E dyta, do shkojmë në një proces pas të cilit sërish në parlament do të kemi figura që mund të prodhojnë kriza të tilla, situata që mund të prodhojnë sërish opozita që mund të dalin jashtë parlamentit për shkak edhe të mungesës së reformës në drejtësi”, tha Meço.

Sonila Meço bëri edhe një krahasim: “Këtu jemi veza, pulën apo pula vezën. Do të shkojmë drejt kësaj alternative, ose drejt kësaj zgjidhjeje imediate që mund të kërkonte edhe një marrëveshje momenti, por nuk do të zgjidhte dot një krizë kritike. Apo do duhet tani të shkundet nga themelet e gjithë historia?”

Gjithashtu gjatë fjalës së saj, Meço tha se zgjidhja e krizës në vend do të jetë shumë e vështirë nëse shqiptarët nuk votojnë lirisht dhe vota e tyre nuk cënohet, duke qenë e bindur se “Pa votuar shqiptarët me zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa u dënuar krimi elektoral, pa u shmangur pushteti i kryetarëve mbi listat, mbi të zgjedhurit dhe pa një ligj të fortë të financimit të partive politike do jetë shumë e vështirë të ketë zgjidhje”./NOA.al