Transmetuar më 16-11-2019, 04:09

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka përsëritur sot se rruga e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza janë zgjedhjet e parakohshme, ndërsa paralajmëroi se loja me durimin e njerëzve do të ketë pasoja të rënda. Zoti Basha i bëri këto deklarata ndërsa po komentonte lidhur me situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, deklaratat e presidenti Meta dhe kryeministrit Rama. Zoti Basha tha se zgjedhjet e parakohshme do ti jepnin fund një pseudo-parlamenti dhe një pseudo-opozite. “Ka një rrugëdalje nga ky batak Surreli. Duke nisur me zgjedhjet e parakohshme që do ti japin fund paligjshmërisë dhe pseudo-parlamentit dhe pseudo-opozitës që është faqja e zezë e faqes më të zezë. Është bërë shërbëtore e një bande që nuk përfaqëson as çerekun e socialistëve të ndershëm” tha zoti Basha. Sipas tij “Zgjidhja është rruga që po merr vendi fqinj, Maqedonia e Veriut, ku klasa politike mori përgjegjësitë dhe shkoi drejt zgjedhjeve të parakohshme” tha zoti Basha duke paralajmëruar se “Loja me durimin e njerëzve do të ketë pasoja të rënda”. Ai akuzoi zotn Rama se po fshihet pas të tjerëve. “Trojka dhe ambasadorët flasin për vete, ndërsa Edi Rama e ka zakon të fshihet pas të tjerëve. Preferon të fshihet pas grave ose pas Ambasadave. Nuk besoj se ajo që ka thënë që është në valë edhe me ato që ka thënë më herët” ironizoi zoti Basha. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kap Reformën në Drejtësi, pasi është njeriu që ka interes më shumë të kapë reformën, se e di që rrezikon të dënohet. “SPAK dhe BKH janë jetike sot për Shqipërinë, por u vonuan që të jenë në kontroll politik. Të gjithë e dimë se kush ka interes për kapjen e reformës në drejtësi” tha zoti Basha. Duke ju referuar deklaratave të kryeprokurori italian të antimafies ai tha se ato të bëjnë të kuptosh se kush tmerrohet nga forca e ligjit, se kush interesohet për të kapur Reformën në Drejtësi. “PD do një drejtësi të pavarur. PS nuk ka interes për reformën në drejtësi sepse kjo parti do të ishte subjekt i parë i reformës në drejtësi” tha kreu i opozitës.