Transmetuar më 16-11-2019, 04:37

Nga Ura Vajgurore, lideri i opozitës Lulzim Basha i ka bërë një thirrje fermerëve të zonës, duke u thënë që t’i thyejnë turinjtë atyre politikanëve apo personave që i kërkojnë shit-blerjen e votës.

Deklarata e fortë e Bashës vjen pak orë pasi kryetari i shtetit Ilir Meta tha se popullit i ka mbetur më së shumti alternativa e sulmit ndaj qeverisë abuzive. "E çfarë u mbetet njerëzve në këtë vend? Parlamentin e kanë kapur, pushtetin lokal e kanë kapur në mënyrë paligjshme, atë Prokurorinë e kanë kapur. Gjithë gjërat e tjera i kanë kapur, çfarë ka mbetur këtu? Këtu njerëzve u kanë mbetur tre rrugë, ose njerëzit për ndryshimin të marrin armët, gjë që është e dënueshme dhe e papranueshme, ose të bëhen skllevër të një regjimi njëpartiak, që e kanë provuar për 40 vjet, ose të ikin të gjithë nga Shqipëria. Të tre janë të papranueshme, por ato dy të fundit për mua janë tmerrësisht të papranueshme.

Në të njëjtën linjë me Metën, Basha tha se opozita nuk është e dobët, por ka marrë vendimet të forta: "Atë që kishim në dorë, atë kemi bërë. Sot ka dy mënyra: Një të bësh sikur bën teatër sikur ata, asgjë s’kishim për të ndalur. Gjeja tjetër ishte për të treguar se çfarë bëhet në këtë vend."

Sot ke parlamentin e Bundestagut që thotë se në Shqipëri ka krizë dhe pa zgjidhur krizën nuk ka BE. Kjo ishte arritje e opozitës, por edhe e juaja që mbështetet opozitën. Sot në tryezë është shtruar çështja se si zgjidhet kriza, sigurisht me zgjedhje, përmes votës tuaj.

Përgjegjësia më e madhe është për të ruajtur votën tuaj. Nëse bëhemi bashkë, kjo qeveri bie brenda 24 orë. Nëse nuk e shet votën, ky regjim merr fund. Doni një despot otoman me tuta që t’ju shalojë, apo një alternativë që vjen me program?

Unë vetëm nuk kam çfarë të bëj. Partia ime ka dorëzuar të gjitha pushtetet për tu rreshtuar në krahun tuaj. Unë nuk bëj batuta, nuk bëj fotografi me Ronaldon, por jetoj me ju çdo ditë.

Thyejuni turinjtë atyre që vijnë për t’ju blerë votën, dhe të mos tërhiqemi për asnjë centimetër dhe ta çojmë këtë betejë deri në fund”-tha mes tjerash, Lulzim Basha.