Transmetuar më 16-11-2019, 08:35

Partia Socialiste zgjedh sot delegatët e Kongresit në një proces votimi që ka nisur në orën 8:00 dhe pritet të përfundojë në orën 16:00 dhe sipas parimit një anëtar një votë.

Sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në Partinë Socialiste, Alfred Peza tha se janë 103 056 anëtarë të PS në gjithë vendin që do të zgjedhin mes 1 496 kandidaturave për 706 delegatët e Kongresit. Po kështu ai tha se për herë të parë testohet votimi elektronik dhe online.

Risia e këtij procesi  do të testohet për herë të parë me zgjedhësit e njësisë numër 8 në Tiranë. Në të gjithë vendin do të jenë 362 qendra votimi dhe 362 komisione që do të menaxhojnë procesin për zgjedhjet e delegatëve të PS.

Në këtë ditë të rëndësishme për Partinë Socialiste, një vëmendje e posaçme i është kushtuar çështjes së barazisë gjinore, ku 698 kandidate ose 47% e totalit, janë gra. Sipas strukturave të PS, janë marrë të gjitha masat organizative për realizimin me sukses të një procesi demokratik, transparent dhe me standarde.

Nga hapja deri në përfundim të votimeve, në selinë qëndrore të PS në Tiranë, do të ketë komunikime të drejtpërdrejta me gazetarët, për të përcjellë me detaje dhe në kohë reale, të gjitha të dhënat e nevojshme rreth këtij procesi./b.l/noa.al/