Transmetuar më 16-11-2019, 10:40

Kryeministri Edi Rama replikoi me ironi ndaj presidentit Ilir Meta i cili në konferencën e djeshme por dhe në një deklaratë për median kujtoi se me një dekret mund të shpërndante parlamentin.

“Më kujton atë që ju kam thënë më parë Xhike Qamilin sa të kem këtë atë katund nuk pyes për Francën e Anglinë” tha Rama në një prononcim për median pasi doli nga PS ku u bë votimi elektronik për zgjedhjen e kandidatëve të Kongresit PS.

Rama nuk pranoi të komentonte padinë që kreu i shtetit do dorëzojë të hënën për kreun e KED-së. "Unë nuk dua që ne të përfshihemi në këtë konflikt si dy palë që japin e marrin bam e bum për dy çështje që nga njëra anë janë shumë të qarta nga ana tjetër i përkasin çështjeve legjitime dhe ligjore.

Gjithçka që mund të bënim e bëmë dhe e kemi bërë të linjëzuar 100% nga ata që janë mbështetësit dhe garantët e reformës në drejtësi. Ne jemi në anën e duhur të historisë, fatkeqësisht Ilir Meta është në anën e gabuar të historisë”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama e ka një përgjigje të qartë edhe se si mund të shpëtojnë partitë nga të zgjedhurit që gënjejnë në formularët e vetëdeklarimeve dhe më pas i kap dekriminalizimi.

Rama ka u ka dhënë përgjigje akuzave të opozitës dhe kujtdo që sipas tij predikon moral, për kryebashkiakët që i ka kapur ligji i dekriminalizimit. “Kush predikon moral, ua thashë, njëson si përgjegjëset e shtëpive të qejfit që predikonin virgjërinë e vashave të ofronin brenda shërbime”.

“Kjo është çështje që mund të zgjidhet mes fuqizimit të ligjit në raport me individin duke e kthyer vetëdeklarimin e rremë në vepër që dënohet, qartë, ashpër, direkt dhe duke i çliruar partitë nga ajo barrë për të lexuar mendjen e individëve që në mënyrë të papërgjegjshme i shmangen të vërtetës mes ndërhyrje në ligj që do ti japë mundësi institucioneve ligjzbatuese të bëjnë verifikime pasi partitë të cojnë listat e kandidatëve për tu zgjedhur më parë se fillimi i fushatës”- tha Rama./b.l/noa.al/