Transmetuar më 16-11-2019, 11:45

Vetëm pak pas deklaratës së bërë nga kryeministri Rama, që ironizoi me kreun e shtetit, duke përdorur batutën “Më kujton atë që ju kam thënë më parë Xhike Qamilin që thoshte që sa të kem këtë e atë katund s’pyes për Francën e Italinë”, reagon presidenti Ilir Meta.

Me një video të postuar në faqen e tij në Facebook, Meta nënvizon prerë vijën e kuqe, që sipas tij është Gjykata Kushtetuese.

“Unë nuk kam ndërmend të tallem me Kushtetutën, boll janë tallur me Kushtetutën që u votua me konsensus. Tek  Gjykata Kushtetuese  vija është e kuqe dhe është e kuqe flakë”-thekson Meta.

Kujtojmë se replikat në distancë vijnë vetëm një ditë, pasi kreu i shtetit Ilir Meta paralajmëroi se me një dekret mund të shpërndante Parlamentin.

“Mendoj se jam shumë i qartë. Garante e Kushtetutës, e padiskutueshme në Republikën e Shqipërisë dhe sipas Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese.

Pastaj është Presidenti e kështu me radhë, por Gjykata Kushtetuese është mbi të gjithë. Parlamenti, a shpërndahet me një dekret? Me një dekret shpërndahet. Se në çfarë rrethanash dhe si, kjo është çështje tjetër. Presidenti, a shkarkohet? Shkarkohet nga një parlament legjitim dhe njëkohësisht kush e shkarkon?

Në fund fare e shkarkon përsëri Gjykata Kushtetuese. Pra dhe Gjykata Kushtetuese është më e rëndësishme se vetë Presidenti. Shikojeni, lexojeni Kushtetutën, rrëzohet shumë kollaj, nuk po flas për gjëra të tjera”, ka deklarar një ditë më parë Meta./b.l/noa.al/

“Parlamenti me një dekret shpërndahet”, Rama ironizon Metën: Më kujton Xhike Qamilin