Transmetuar më 16-11-2019, 17:33

Vajza 23-vjeçare nga Mirdita, Adela Gjoka, e cila ishte në përfundim të studimeve për Inxhinieri Ndërtimi, por kishte hasur vështirësi në diplomimin e saj, e si të mos mjaftonte kjo, nuk mund të gjente një punë, për të përballuar jetesën, vendosi t’i japë fund jetës në mënyrë tragjike.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik. Askush nuk mundi dot t’i vinte në ndihmë Adelës, ndërsa disa rreshta prekëse ka shkruar Gjergj Marku, një ditë pas tragjedisë, ku vajza fare e re largohet nga kjo botë, në lule të rinisë, duke çuar dëm edhe sakrificat e familjes së saj.

Nga Gjergj Marku

“Një jete rinore, vetëm 23 vjeç, që u pre në mes në mënyrë tragjike për ta lënë qytetin tonë pa një Adele të gjeneratës së re. Një Adele, që ëndërronte shumë edhe kur, sapo ishte në përfundim të studimeve të larta me njëmijë e njëqind sakrifica të familjes së saj të vuajtur, që me thonj ia ka dalë të mbijetojë e rrisë fëmijët me dinjitet e ndershmëri”.

“Por një ëndërr e mbetur në “sirtarin e vdekjes” në një sistem absurd antivlerash për të udhëhequr idealet e të rinjve, e ku humaniteti pothuaj nuk ekziston as si nocion e as si praktikë.

Tashmë dhe mua, rrugës së përditshme nga do të kaloj, do më duhet të kthej kokën me shumë dhimbje, pikërisht andej ku Adela "fluturoi" nga kati i lartë i pallatit ku banonte për të gjetur "fundin" e një ëndrre të servirur aq keq në mjerimin e një Shekulli të Ri, sidomos për të rinjtë!…)