Transmetuar më 16-11-2019, 19:31

Presidenti Ilir Meta, pas thirrjes që u bëri krerëve të partive opozitare jashtë Kuvendit, ka ftuar për një takim gjatë javës së ardhshme edhe Fondacionin e Shoqërisë së Hapur (Soros), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile të angazhuar në Reformën në Drejtësi.

Më herët ka pasur akuza se ishte pikërisht Soros ai që ideoi këtë reformë.

Në qendër të diskutimeve është situata e krijuar me Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti Meta duket se do të ketë axhendë të ngjeshur takimesh duke nisur nga e hëna pasi ai ka thirrur në një takim edhe opozitën politike.

Në ftesën drejtuar Bashës dhe për dijeni dhe të krerëve të partive të tjera pjesë e opozitës së bashkuar, Meta kërkonte që takimi të mbahej mundësisht para ditës së mërkurë, datë 20 nëntor.

Raportohet gjithashtu se Meta pritet të ftojë javën e ardhshme për takim edhe Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë për t’i informuar për situatën e rëndë të funksionimit të shtetit ligjor që rrezikon izolimin e vendit.

Kreu i Shtetit ditën e hënë pritet të dorëzojë në prokurori dhe kallzim penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit, apo detyrës shtetërore, gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. /NOA.al