Transmetuar më 17-11-2019, 12:46

Në një takim me feremerët e Myzeqesë në Divjakë këtë të diel, kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se ka vendosur që ta shohë krizën në sy dhe të mos merret vetëm me atë politike.

Ai deklaroi se “Duan të kapin drejtësinë sepse e dinë se çfarë i pret nga drejtësia e vërtetë për zullumet që kanë bërë”.

Në vijim tha se blegtoria është totalisht e braktisur duke nxitur më shumë braktisjen e zonave rurale dhe se fshatrat zbrazen në mënyrë që të nxitet importi i produkteve nga jashtë sepse kontrollohet nga 4-5 oligarkë të kalçetos dhe kjo bie në kurrizin e fermerëve.

“Dixhitalizimi i bujqësisë është jetësor. Me një çip shmang burokratët dhe hajdutët, duke ofruar subvencionet direkte. Është fare e thjeshtë, sepse çipi nuk kërkon kafe. Mendja e këtij shteti është të nxjerrë edhe kacidhet nga xhepi juaj. Ka nxjerrë lloj lloj mënyrash për ta bërë këtë. Ne ofrojmë liri për të punuar dhe për të fituar. Liria dhe çlirimi nga frika e shtetit është gjëja e parë që do të bëjmë. Nuk do të shikoni më inspektorë si grerëza pas mjaltit që vijnë t’ju marrin ju gjithçka”, u shpreh Basha.

Sipas tij, zgjidhja e duhur për fermerët që të punojë rehat është zerimi i kostos së prodhimit dhe kjo bëhet vetëm me skemën e subvensioneve direkte, mirëpo nënvizoi se sot shteti është kundër dhe se i shikon fermerët nga xhepi në mënyrë që t’iu marrë edhe kacidhen e fundit, në vend që ti ndihmojë.

“Ky shtet është një kalçeto hajdutërie dhe korrupsioni. Ky shtet ju sheh vetëm si lopë për t’iu mjelë. Që nga viti 1912, Edi Rama është i vetmi që ka arritur rekordin që Shqipëria të jetë e treta në botë më e korruptuar. Zgjidhja është që paratë që shkojnë tek ata oligarkë të kalçetos të shkojnë tek fermeri. Koncensionet dhe PPP-të do të anulohen dhe paratë do të kthehen në shërbim të njerëzve. Për fermerët do të kthehen në një buxhet 100 milion euro për mbështetje direkte për fermerin”, drklaroi Basha.

Shefi i opozitës tha më tej se, zgjidhja që ofrohet është zgjidhje e përbashkët që buron nga ky bashkëbisedim dhe nga një qeveri e dalë nga vota e lirë dhe në këtë drejtim tha se “Nuk do të jetë një qeveri e dalë nga krimi, nga Rrajët që diktojnë sot në qeveri. Zgjidhja do të vijë nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne po punojmë që ju të zgjidhni sa më shpejt qeverinë që ju ofron programin që ju mendoni se është më i miri për ju”./a.y/noa.al/