Transmetuar më 19-11-2019, 17:14

Grimieri i famshëm shqiptar, Mario Dedivanovic, mbajti një fjalim ku tregoi me krenari para botës dhe familjes se është homoseksual. Ai pranoi për herë të parë se është gay, kur mori një çmim nga partnerja e tij me famë botërore në disa projekte, Kim Kardashian.

Gjatë fjalimit, Mario i tha babait që nuk mund të ndërtonte shtëpinë e ëndrrave në Shqipëri pa ia thënë këtë.

Grimieri shqiptar me famë botërore, Mario Dedivanovic u vlerësua mbrëmjen e kaluar me çmimin “American Influencer Awards 2019” në “Dolby Theatre” të Los Angeles.

Madje dha një mesazh për të gjithë shqiptarët që të guxojnë të tregojnë vetveten pa u frikësuar.

Mario Dedivanovic u shpreh para të pranishmëve me këto fjalë:

"Dua të them diçka për motrat dhe vëllezërit e mi shqiptarë. Gjakun tim. Ju kërkoj të gjithëve të hapni sytë dhe zemrën! Sepse shumë fëmijë në botë po rriten mes frikërash dhe mes dhimbjes, si unë dikur."

"Shumë të tjerë mendojnë të vrasin veten, si unë. Ata kanë frikë të jenë ndryshe për shkak të kulturës dhe mendimit, se familja do t’i paragjykojë. Fëmijë të vegjël janë të frikësuar se prindërit e tyre, vëllezërit, kushërinjtë s’do t’i pranojnë, thjesht sepse kanë lindur ndryshe".

"Ne s’jemi ndryshe. Jemi njësoj si gjithë të tjerët, të drejtuar nga dëshira për t’u dashur. Me të drejta të barabarta për të qenë të lumtur. Sot, për herë të parë, qëndroj me shumë krenari si 37-vjeçar gay! Tani mund të jetoj atë që kam ëndërruar dhe më në fund mund të marr frymë. Më në fund jam i lumtur të jem unë", theksoi ai./NOA.al