Transmetuar më 20-11-2019, 10:52
Arjan Ndoj, Redjan Rraja

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit për Redjan Rrajën, të ndaluarin e vetëm për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj.

Edhe Apeli gjatë ditës së sotme la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke bërë që Rraja të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve.

34-vjeçari akuzohet nga prokuroria si një nga atentatorët ndaj prokurorit, Arjan Ndoj, i cili mbeti i plagosur në datën 1 nëntor, te mbikalimi i Shkozetit.

Ndaj tij rëndojnë akuzat e “Vrasjes së funksionarit publik”, “Vrasje e mbetur në tentativë" dhe “Armëmbajtje pa leje”. Arrestimi i tij u bë tre ditë pas ngjarjes duke tentuar të largohej drejt Malit të Zi.

Shkak për rënien në gjurmët e 34-vjeçarit u bënë një palë syze të gjetura në makinën tip ‘Benz’ me targa AA 234 LM, të cilën atentatorët e braktisën pas ngjarjeve.

Pikërisht shenjat e gishtave të gjetura në syze e “morën më qafë” Rrajën, pasi përkonin me të tijat. /a.y/noa.al/